Solbakken zbarkon në Romë për të përfunduar testet mjekësore
Sulmuesi i Bodo/Glimt, Ola Solbakken, ka zbarkuar në Romë për të përfunduar testet mjekësore me klubin romak.
24-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës së Jose Mourinhos si lojtar i lirë në janar pasi kontrata e tij me Bodon skadon më 31 dhjetor.
Ai zbarkoi në aeroportin Fiumicino të Romës këtë pasdite dhe tani do t’i nënshtrohet testeve mjekësore te klubi i ri potencial.
Sulmuesi norvegjez do të nënshkruajë një kontratë të vlefshme deri në vitin 2027 me Romën, por nuk pritet të jetë në dispozicion për turneun përgatitor në Japoni gjatë pushimit të Kupës së Botës.
Solbakken ka katër gola dhe tetë asistime në 23 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon me Bodo/Glimtin.