Romagnoli refuzon Atleticon, do të qëndrojë në Milan.
Kapiteni i Milanit, Alessio Romagnoli, raportohet se ia ka bërë të qartë klubit kuqezi dëshirën e tij për ta rinovuar kontratën e tij aktuale dhe për ta vazhduar edhe më tutje karrierën e tij në San Siro.
Gazeta italiane, La Gazzetta dello Sport, zbulon se Atletico Madridi së fundi ka shfaqur interesim për mbrojtësin italian, mirëpo Alessio Romagnoli ka vendosur që ta presë një ofertë nga Milani për rinovim kontrate, transmeton Gazeta Express.
Qendërmbrojtësi ka qenë kyç në skuadrën e Milanit gjatë këtij sezoni të Serisë A, duke qenë titullar në të gjitha 26 ndeshjet e zhvilluara, edhe sa ishte trajner Marco Giampaolo e edhe kur erdhi Stefano Pioli.
Karrierën e tij në San Siro, Romagnoli e kishte filluar në gusht të vitit 2015, kur kishte ardhur si transferim nga Roma. Që nga atëherë, 25-vjeçari ka arritur ta fitojë shiritin e kapitenit falë 181 paraqitjeve të tij me të cilat i ka bindur edhe tifozët.
Paraqitjet e tij nuk kanë mbetur ta pavërejtura as nga klubet e mëdha të Evropës dhe Gazzetta dello Sport shkruan se Atletico Madridi e kontaktoi agjentin e futbollistin për ta mësuar situatën e tij në Milan, mirëpo mbrojtësi është i bindur në dëshirën e tij për ta vazhduar karrierën me kuqezinjtë.
Po e njëjta gazetë italiane pretendon se Romagnoli është ende në pritje që Milani ta kontaktojë atë ose agjentin e tij për t’i ofruar kontratë të re, pasi që kontrata e tij aktuale skadon në qershor të vitit 2022.