Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës, Rrahim Tërnava përmes një video-adresimi ka shpalosur planprogramin e tij për katër vitet e ardhshme, për ta kthyer mbarë Fushë Kosovën, për ta bërë atë qytet bashkëkohor, të gjelbër, digjital, inovativ, të sigurtë, dhe të organizuar mirë.
Tërnava tha se me ekipin e tij kanë dëgjuar secilin qytetar, i kanë identifikuar të gjitha problemet në Fushë Kosovë dhe kanë hartuar plan konkret që parasheh shërbime cilësore në çdo hallkë, si dhe qeverisje të ndershme dhe transparente.
“Jemi të gatshëm të bëjmë reforma në shëndetësi, në arsim, planet për zhvillim ekonomik e infrastrukturor, e deri tek mbrojtja sociale dhe programet për të rinjtë tanë që të përgatiten për jetë dhe karrierë. Do të sigurojmë transport publik për të gjithë qytetarët e Fushë Kosovës. Dhe transportin për nxënës. Do të mirëmbajmë rrugët lokale gjatë gjithë vitit, do të trajtojmë ujërat e zeza dhe do të sigurojmë qasje në ujësjellës .”, theksoi ai.
Tërnava tha se Fushë Kosova e ka rastin të qeveriset nga njerëz të rinj dhe të arsimuar, që nuk i takojnë mendësisë së vjetër të punës, që bashkëqeverisin me qytetarët.
“Ju ftoj ta shihni programin tonë zgjedhor, me zgjidhje konkrete për çdo problem të qytetit tonë të dashur. Probleme që tashmë i kemi identifikuar, që ju i dini, e që ne kemi zgjidhje për to. Zgjidhje funksionale dhe që garantojnë sukses në qeverisjen e ardhshme katërvjeçare. Do te stimulojmë e mundësojmë jetë aktive kulturore, jo vetëm në qytet por edhe në fshatra. Fushë Kosova do të bëhet me me teatër dhe trupë teatrore. Me finalizim të sheshit. Me projekte që nuk zvarriten për dekada. Në komunën e drejtuar nga unë, ju do të merrni shërbime të shpejta e të lehta, pa burokraci dhe në një ambient ku shërbeheni, e jo ku anashkaloheni dhe diskriminoheni. Kemi plan edhe për Fushë Kosovën pa ndotje të ajrit. Pa mbeturina. Pa ndotje të lumenjve, pa degradime të tokave dhe pyjeve.”, u zotua ai.
Tërnava premtoi se pozita e gruas në Fushë Kosovë do të forcohet në qeverisjen e tij.
“Deri më sot, kemi pasur pak drejtori komunale që udhëhiqen nga gratë, ndërsa sot, ju keni mundësinë që të bëheni bashkë, të mbështesni listen me asambleistë me më së shumti gra kandidate në listë në Kosovë! Unë premtoj para jush se në qeverisjen time, gratë do të udhëheqin shumicën e drejtorive, për t’i dhënë qeverisjes dimensionin e barazisë e të përkushtimit që gratë dinë ta sjellin. ”
Tërnava ftoi qytetarët që më 17 tetor të votojnë numrin 177 për Fushë Kosovën e sigurtë, me shëndetësi efikase, me shanse më të mëdha punësimi, me rregullim urban, me arsim digjital dhe klasa me numër të pangarkuar të nxënësve të pajisura me tabela intelegjente, me parkingje e rrugë ndërlidhëse gjithandej lokaliteteve.
“Së bashku do t’i themi mirupafshim atij që e konsideroi veten të madh, që e konsideroi veten baba dhe strehë e ekonomisë joformale, ndërsa Komunën e Fushë Kosovës e bëri paralagje, deponi, vend hedhje në bashkëpunim me akterë të ndryshëm. Kauza jonë për qytetarin nga bashkon. Me 17 tetor, unë pres mbështetjen tuaj.”, tha ai.
Linku i videos: https://fb.watch/8hGBHGfb3J/