Rrahman Jasharaj: Mësimi nis nesër, greva mund të ketë pas zgjedhjeve

08:08 | 07 January 2025
rrahman-jasharaj:-mesimi-nis-neser,-greva-mund-te-kete-pas-zgjedhjeve

Mësimi në shkollat e Kosovës do të rifillojë të mërkurën (nesër).

Ky moment shënon rikthimin e nxënësve dhe mësimdhënësve nëpër klasa në gjysmë vjetorin e dytë, pas pushimit dyjavor dimëror.

Shkollat janë përgatitur për këtë periudhë të re mësimore, ndërsa drejtuesit e arsimit dhe sindikatat po monitorojnë me kujdes situatën për çdo zhvillim të mundshëm në lidhje me kërkesat e punonjësve të arsimit dhe politikat e qeverisë.

Kreu i SBASHK: S’do të interferojmë në fushatë zgjedhore

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Rrahman Jasharaj, nuk ka përjashtuar se gjatë këtij gjysmëvjetori mund të ketë veprime sindikale si greva e protesta.

Jasharaj për “Front Online” ka bërë të ditur se pas rikthimit të mësimdhënësve në shkolla do të zhvillohet një bisedë me ta për të shqyrtuar situatën dhe masat sindikale që mund të merren.

“Të mërkurën do të fillojë gjysmë vjetori i dytë. Kur të kthehet mësimdhënësit në shkolla do të bashkëbisedojmë me ta dhe të shohim se çfarë vendime po marrim”, tha ai.

Ai theksoi se Sindikata do të jetë e kujdesshme në veprimet e saj, duke pasur parasysh fillimin e fushatës politike dhe frikën se çdo vendim mund të keqinterpretohet, veçanërisht, siç thotë ai, nga qeveria.

“Do të jemi shumë të matur për veprime sindikale pasi fillon fushata politike që mos të na lexojnë si mesazh të gabuar qoftë qeveria që e ka zakon të hedh fjalë se jemi herë me ta e herë me dikë tjetër. Nëse mbajmë grevë mund të na akuzojë siç e ka traditë partia në pushtet se qenkemi me ata apo me këta”, theksoi Jasharaj.

Sipas Jasharajt, punëtorët e arsimit janë të zhgënjyer me veprimet e Qeverisë dhe Ministrisë së arsimit, duke u shprehur se protestat dhe grevat deri më tani nuk kanë pasur ndikim në realizimin e kërkesave të tyre.

“Punëtorët e arsimit janë të zhgënjyer edhe me Kurtin edhe Nagavcin”, u shpreh ai.

Jasharaj: Kurti e Nagavci nuk e “çajnë kokën” për sistemin arsimor

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka shprehur shqetësim për sektorin e arsimit, duke theksuar se sindikata po kalon në një situatë shumë të keqe.

Jasharaj thotë se pas protestës së fundit, ata angazhuan një ndërmjetësues ligjor për të mundësuar një dialog me Ministrinë e Arsimit, me qëllim që të shqyrtohen kërkesat e SBASHK-ut lidhur me kontratën kolektive.

“Jemi në një situatë shumë të keqe. Pas protestës së fundit e angazhuam ndërmjetësuesin ligjor që të vë komunikim të mundësoj dialog me ministrinë e Arsimit me kërkesa të thjeshta sipas Kontratës Kolektive, në mënyrë SBASHK-u të jetë i përfaqësuar edhe në këshillin shtetërorë licensor siç ka qenë gjithmonë se atje po ndodhin gjëra dhe ne s’kemi informatë”.

Sipas Jasharajt, ndërmjetësuesi ligjor nuk ka marrë ende asnjë përgjigje nga Ministria.

Ai akuzoi Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë për mungesë angazhimi dhe përkundër kërkesave të sindikatës, për të mos treguar interes për të zhvilluar dialog dhe për të përmirësuar sistemin arsimor.

“Ndërmjetësuesi ka pritur afatin ligjor dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ministria bashkë me Qeverinë janë kundër dialogut dhe nuk çajnë kokën për sistemin arsimor”, u shpreh Jasharaj për “Front Online”.

Komento: