Rrahman Jasharaj nuk ndryshon qëndrimin as pas takimit me Osmanin: Greva vazhdon

16:56 | 03 Shtator 2022

Osmani nuk arrin ta bindë Jasharajn, greva vazhdon.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, pas takimit që ka zhvilluar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se kjo e fundit u ka kërkuar që ta ndërpresin grevën.

Në një deklarim për mediave, Jasharaj tha se këtë kërkesë të Osmanit nuk e kanë pranuar, pasi kërkesat e tyre janë legjitime dhe duhet të plotësohen nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ai po ashtu tha se e vlerëson angazhimin e presidentes, por se greva do të vazhdojë.

“Në takim me presidenten paraqitëm kërkesat tona, të cilat edhe ajo tha se janë legjitime. Ne e lutem presidenten që ta shfrytëzojë autoritetin e saj në mënyrë që të ndikojë që të ulemi për të diskutuar me përfaqësuesit e Qeverisë për realizimin e kërkesave tona”.

“Qeveria mund të japë ndihma për punëtorët dhe ne i gëzohemi kësaj, por kërkesat tona janë tjera. E vlerësoj angazhimin e presidentes, por për fat të keq greva do të vazhdojë”, u shpreh Jasharaj.

Komento: