Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka kritikuar ndihmën e fundit financiare të dhënë nga Qeveria Kurti për pensionistët e arsimit, duke e cilësuar si një manovër të fushatës zgjedhore.
Sipas Jasharajt, kjo ndihmë është një përpjekje për të fituar votat e pensionistëve në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Kjo po bëhet mbase për t’ia ndryshuar mendjen dikujt apo për t’i marr me të mirë që të votojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Pensionistët e arsimit e dinë se kjo ndihmë është veç sa me u thënë, sepse ata e dinë se Qeveria Kurti, ua kishte mohuar një të drejtë, për vitet 90-ta e që ishin vite kontributdhënëse dhe me këtë ndryshim që ka bërë Qeveria Kurti ata ndëshkohen çdo muaj me dhjetëra euro”, shprehet Jasharaj.
Ai theksoi se pensionistët e arsimit janë të vetëdijshëm se ky “dhuratë fundviti” nuk ka asnjë efekt afatgjatë,
“Pensionet janë të vogla dhe ndihma një herë në vit nuk ua ndryshon jetën. Gjërat tek ne ndodhin kështu, Qeveria e vonon vendimin e vet e bashkë me të edhe Kuvendi. Pra i ndëshkon gjatë gjithë vitit e në fund të vitit i shpërblen me dhurata të tilla se mos po ua merr votat në shkurtin e vitit të ardhshëm”, shprehet Jasharaj për “Front Online”.