Lajmërohet Jasharaj: Qëndrojmë ende pas kërkesave, në janar vendosim për veprimet sindikale.
Pezullimi i grevës për punëtorët e sektorit publik, përfshirë edhe mësimdhënësit është deri në janar të vitit 2023, ndërsa sindikalistët thonë se nuk ka filluar dialogu social me Qeverinë. Kryetari i Këshillit grevist, Rrahman Jasharaj, tha se qëndrojnë pas kërkesave të tyre, ndërsa në janar do të mblidhen për të vendosur për veprimet sindikale, nëse qeveria nuk i shqyrton këto kërkesa.
Ndërsa, ekspertët thonë se kjo situatë do të shkatërrojë sistemin arsimor.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, pati pezulluar grevën e nisur më 25 gusht, me qëllim që të ketë dialog me Qeverinë për të realizuar kërkesat e tyre deri në fillimin e zbatimit të Ligjit të Pagave. Ndërkohë, kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, ka thënë për Radio Kosovën, se gjatë kësaj periudhe nuk kanë marrë asnjë ftesë dhe asnjë angazhim nga Qeveria për t’u takuar e për të dialoguar rreth kërkesave të sindikalistëve.
“Fatkeqësisht jo. As ne si SBASHK e as në nivel të BSPK-së nuk ka pasur asnjë ftesë nga Qeveria për takime lidhur me kërkesat tona, që tashmë janë publike. Shpresojmë që këta muaj që kanë mbetur, qeveria t’i shfrytëzojë për takime e debate e për të arritur një zgjidhje edhe për Ligjin e Pagave. Mirëpo, deri tani nuk ka ndodhur asnjë gjë e tillë, asnjë takim”, tha Jasharaj.
Jasharaj, theksoi se pezullimi i grevës është deri në janar të vitit 2023, dhe nëse deri atëherë nuk do të ketë dialog e marrëveshje për kërkesat e tyre, atëherë mund të ndërmerren veprime sindikale.
“Ne do të shohim bashkë me sindikatat e tjera se çfarë do të bëjmë tutje. Uroj që Qeveria të mos e ketë konsideruar si fitore pezullimin e grevës. Deri në janar jemi në pritje, ne do të konsultohemi me anëtarësinë, pastaj janë organet e sindikatave dhe vetë BSPK-ja që do ta debatojë situatën dhe do të vendosim karshi kërkesave që sjellin organet përfaqësuese të anëtarësisë sindikale në tërë Kosovën. Nuk mund të them as që do të ketë grevë, por as nuk mund ta përjashtoj mundësinë, sepse nëse gjërat shkojnë kështu dhe nëse Qeveria vazhdon me barrikadimin dhe mungesën e dialogut dhe angazhimit për zgjidhjen e kërkesave tona, atëherë në janar çdo gjë mund të jetë e mundur”, shtoi ai.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve të arsimit, Jonuz Salihaj, tha për Radio Kosovën se ende nuk ka ndonjë shenjë që Qeveria ka ftuar sindikatat për dialog. Ai theksoi se përderisa Ligji për Paga nuk është buxhetuar për vitin që vjen, do të thotë se nuk do të fillojë së zbatuari në vitin 2023 dhe se kjo situatë mund të çojë në shkatërrimin e sistemit arsimor.
“Nuk po shoh simptoma që do të bëhet zgjidhja e këtij problemi. Do të vazhdojnë inatet, do të vazhdojë injorimi i mësimdhënësve dhe kjo do të kontribuojë që sistemi i arsimit, i cili edhe ashtu është në gjendje të keqe, do të shkojë drejt shkatërrimit për fat të keq. Unë besoj që Qeveria duhet të reflektojë dhe ta ketë këtë situatë prioritet e ta zgjidhë dhe të mos vazhdojë me këto inate personale, e ta shkatërrojë një sistem të tillë të arsimit”, deklaroi Salihaj.
Radio Kosova i ka dërguar pyetje Ministrisë së Arsimit, nëse kanë zhvilluar takime me Sindikatën e Arsimit, për të diskutuar rreth kërkesave të tyre, por kjo Ministri nuk ka kthyer përgjigje.