Albion Rrahmani, ylli i javës në Superligë.
Albion Rrahmani është zgjedhur futbollisti më i mirë i xhiros së 19-të të Superligës së futbollit.
Sulmuesi i Ballkanit shkëlqeu në duel me Malishevën duke i realizuar tre gola në fitoren e ekipit të tij me rezultat 4:2.
Pas marrjes së këtij çmimi, sulmuesi i kampionëve të Kosovës u shpreh i lumtur dhe premtoi se do të vazhdojë me paraqitje të mira edhe në të ardhmen.
“Për mua është hera e parë që shpallem ‘Ylli i Javës’ dhe sinqerisht jam shumë i lumtur. Të shpërblehesh si më i miri i xhiros është një motiv shtesë për të vazhduar punën dhe për të synuar ende më shumë. Gjithsesi ky çmim nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e bashkëlojtarëve dhe shtabit teknik për çka i falënderoj shumë”, ka theksuar Rrahmani për faqen zyrtare të FFK-së.
Ai tutje ka folur edhe për objektivat e portokallezinjve në këtë edicion.
“Ballkanin këtë edicion e shoh sërish kampion të Kosovës. Rruga për ta mbrojtur titullin nuk do të jetë e lehtë por ne do të punojmë maksimalisht dhe do t’i marrim ndeshjet radhazi. Besoj që me këtë grup të lojtarëve, me përkushtimin e shtabit teknik dhe organizimin e mirë të klubit, do ta përsërisim suksesin e vitit të kaluar”, ka shtuar ai.