Një vit më parë i pari i LDK, ka luftuar me një sëmundje të rëndë.
Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, i cili tash e një vit po vuan nga një sëmundje, sot ka treguar në profilin e tij në Facebook gjendjen e tij shëndetësore në ditët e para të sëmundjes.
Ai ka theksuar se në fillim ishte i palëvizshëm
Sot është bërë një vit prej kur Mustafa po vuan nga sëmundja të cilën mjekët e kanë diagnostikuar si “Sindromi Gulian Barren”, e që sipas Mustafës, është sëmundje që prek një në njëqindmijë banorë.
Ai ka treguar se mbrëmjen e 7 janarit të vitit të kaluar, ka humbur fuqinë e duarve dhe këmbëve, ndërsa pas 24 orëve mjekët e Spitalit Amerikan i kanë identifikuar diagnozën e saktë të sëmundjes, gjë e cila ka habitur edhe mjekët në Gjermani.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, edhe pse një periudhë isha krejtësisht i palëvizshëm nga duart dhe këmbët, kisha kurajo të sfidohem me këtë sëmundje; kisha besim në zotin, në veten time dhe në mjekët se do të rikuperohem. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam pushuar së punuari dhe lexuari. Rikthimi po vjen ngadalë, me rendin e vet”, ka shkruar Mustafa.
Mustafa ka falënderuar familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët të cilët i kanë qëndruar afër gjatë kohës sa ka qenë i sëmurë, duke thënë se pa përkrahjen e tyre vështirë se do ta përballonte sëmundjen.