Rrëfehet një grua e kthyer nga Siria, thotë se kishte provuar të kthehej por s’kishte arritur

17:15 | 24 April 2019

Para tri ditëve në Kosovë janë kthyer nga Siria rreth 110 persona.

Avokatja Fortesa Mehmeti, e cila mbron një prej grave të kthyera nga Siria, ka thënë se e mbrojtura ka qenë e mashtruar nga burri i saj, dhe si pasojë e rrethanave të luftës nuk ka mundur të kthehet nga atje, ani pse kishte vullnet për t’u kthyer.

Pas seancës dëgjimore, Mehmeti tha se ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Mehmeti u tha gazetarëve se klientja e saj e ka mbajtur sot seancën e parë dëgjimore. Ajo bëri të dikur se ka kërkuar që ndaj saj të caktohet masë më e butë, e jo arrest shtëpiak.

“Klientja ime ka qenë prej vitit 2014 atje, ajo ka qenë si gjitha të tjerat, në një farë forme mendoj që ka qenë e mashtruar nga ana e bashkëshortit dhe ka shkuar atje, mirëpo rrethanat e luftës, presioni i vazhdueshëm nuk ka mundur të kthehet më, shyqyr Zotit tash gëzon lirinë, shohim tutje çfarë do të vendosin organet e rendit”, tha ajo.

Ajo tha se klientja e saj ka tentuar të kthehet edhe më herët, por ka qenë e pamundur. Ndërkohë tha se burri të dyshuarës mendohet të jetë i zhdukur, apo të jetë privuar nga jeta.

Mehmeti bëri të ditur se ka kërkuar që ndaj të mbrojturës të caktohet masa e paraqitjes në stacionin policor.

Një tjetër avokate, Kimete Krasniqi, ka thënë se e ka kundërshtuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak, meqë sipas saj e mbrojtura e saj ka qenë e mashtruar nga burri.

“Jemi në fazën fillestare të hetimeve, nuk ka asgjë që është vërtetuar që ka kryer vepër penale, mirëpo sipas dyshimeve të prokurorisë me pjesëmarrjen e saj ka kryer atë vepër, mirëpo nuk është ajo për shkak se e mbrojtura ime ka qenë e mashtruar nga burri i saj, tashmë i ndjerë, i cili është privuar nga jeta pas tre muaj qëndrimi atje, dhe i cili ka kryer roje sipas të mbrojturës sime. E kundërshtova kërkesën e prokurorisë për caktimin e arrestit shtëpiak për shkak se e mbrojtura ime është nën e një djali 5 vjeçar dhe për të cilin nuk ka kush të kujdeset për”, tha ajo.
Ndërsa Arbnora Zeqiri, një tjetër avokate tha se prokuroria deri tani nuk ka paraqitur prova me të cilat plotësohen kushtet për caktimin e kësaj mase.

“Ne si mbrojtje e kemi kundërshtuar këtë masë të arrestit shtëpiak për shkak se prokuroria deri tani nuk ka paraqitur prova me të cilat plotësohen kushtet për caktimin e kësaj mase, duke marrë parasysh edhe rrethanat e këtyre grave të cilat janë kthyer nga Siria. Po ashtu për faktin se këto gra janë familjare, me fëmijë, shumica prej tyre jetojnë pa burra, disa ju kanë vdekur bashkëshortët e tyre dhe nevoja për të qenë pranë familjes dhe për tu kujdesur për fëmijët e tyre është më se e domosdoshme”, tha ajo.

Sipas mbrojtjes, kufizimi i lirisë së këtyre grave do të ndikonte negativisht në risocializimin dhe kujdesin për vetën dhe fëmijët e tyre. Gratë, që ishin në pesën e 110 kosovarëve që shteti i Kosovës i ka kthyer në vend javën që shkoi, dyshohet të kenë kryer veprën penale pjesëmarrje dhe organizim në grupin terrorist.

Komento: