Shembja e ish-hotel ‘Adriatiku’ ka lënë pa dhënja jete 27 vjeçarin nga Mitrovica, Visar Behramin.
Naser Osmani ka qenë në vendin e ngjarjes kur dje pasdite në Mitrovicë, ka humbur jetën 27 vjeçari Visar Behrami, pas shembjes së një pjese të ish hotelit “Adriatiku”.
“Unë kam qenë në pjesën e hyrjes dhe kur është bërë rrënimi prej presionit të ajrit të gjitha dritaret janë thyer. Kam bërtitur mos po e dëgjojë të ndjerin. Menjëherë i kemi thirrur policinë dhe ekipet tjera. Jemi munduar të gjithë bashkë që ta gjejmë viktimën nën rrënoja”, ka thënë Osmani i cili ka parë gjithë ngjarjen, njofton Klan Kosova.
Ai ka thënë se bashkë me Visar Behramin kanë qenë duke punuar edhe tre persona të tjerë të cilët kanë arritur që t’u shmangen shembjeve.
“Ata kanë arrit që të kërcejnë – kanë qenë të traumatizuar. Ata kanë qenë duke bërë renovime të “Adriatikut”. Unë nuk kam pasë mundësi që të reagojë”.
Sipas tij deri te rrënimi i objektit që ngjau dje ka ardhur si pasojë e paplanifikimit të duhur.
“Kanë nisë që përbrenda ta bëjnë rrënimin e shtyllave që kanë qenë në objekt. Kurrë probleme nuk ka pasë më herët. Renovimet e brendshme pa planifikim kanë çuar deri te incidenti”.
Osmani ka thënë se nuk ka pasur mënyrë tjetër pos pjesës ballore të objektit që të shkohej më shpejt deri te trupi i Visar Behramit që ndodhej nën gërmadha për disa orë.
“Të gjithë kemi qenë këtu deri në 00:03 – pas shtatë orë kërkimesh – kur ekipet e FSK-së e gjetën trupin e pajetë. Unë e kam njohur atë, ka qenë njeri i afërt dhe punëtor. Këtu ka qenë duke punuar prej tre javësh dhe në sallën e objektit na ka rënë që të rrimë bashkë”.
Në Info Magazine, Osmani ka thënë se duhet të ndërhyhet shpejt që shtyllat që kanë mbetur varur në objekt të largohen në mënyrë që të mos ndodhë ndonjë tragjedi e radhës.