Është ndër sulmuesit me të mirë në botë.
Sulmuesi uruguaian i Barcelonës, Luis Suarez, ka bërë të ditur se ai shpreson të pensionohet nga futbolli në Barcelonë, duke e pranuar se për të do të ishte e mrekullueshme t’i kalonte edhe sezonet e fundit të karrierës në Camp Nou.
Në moshën 32-vjeçare, sulmuesi i famshëm beson se ende ka kohë të luajë futboll në nivelin më të lartë, në Barcelonë. Megjithatë, me kalimin e kohës, ai po i afrohet gjithmonë e më shumë fundit të karrierës së tij, transmeton Express.
Suarezi e kupton këtë fakt, mirëpo është i bindur se mund ta vazhdojë karrierën në Barcelonë të paktën deri në vitin 2021, kur edhe i përfundon kontrata me klubin katalonas, megjithëse synon të luajë edhe më tej.
“A do të doja të pensionohem në Barcelonë? Po, natyrisht. Shumë pak njerëz e kanë mundësinë ta bëjnë këtë gjë, por mendoj se kjo është dëshira e të gjithë lojtarëve”, ka thënë Suarezi.
“Ta përfundosh karrierën në klubin më të mirë të botës do të ishte gjëja më e mrekullueshme. Por, kjo gjë do të jetë e vështirë pasi që shumë pak njerëz e kanë arritur këtë synim”.