Suso: Për pak sa nuk iu bashkova Interit.
Suso thotë se është i lumtur në Sevilla, por zbulon se ishte shumë afër ta braktiste Milanin për rivalin e moçëm, Interin.
Sevilla e huazoi anësorin spanjoll nga Milani në janar, me mundësi blerjeje për 20 milionë euro, e cila bëhet e detyrueshme nëse arrihen disa synime të caktuara, transmeton Gazeta Express.
“Në futboll nuk i dihet kurrë, por unë jam i lumtur këtu dhe mendoj se lojtarët e mëdhenj duhet të luajnë në Ligën e Kampionëve”, tha Suso për Sky Sport Italia.
“Gjithmonë kam thënë se jam rritur në Milan dhe për këtë do t’i jem mirënjohës klubit përgjithmonë, por tani jam më afër familjes sime”, shtoi ai.
Suso zbuloi se ka qenë afër të largohej nga Milani edhe më herët.
“Kam biseduar me Fiorentinën verën e kaluar në një takim, por e dëgjova ofertën e tyre vetëm nga kureshtja. Me Romën nuk ka pasur asgjë konkrete, po ashtu. Megjithatë, kam qenë afër kalimit në Inter, sepse pata folur me Luciano Spallettin dhe ai më donte në Inter”, zbuloi ai.
“Interi kishte ekip që luante futboll shumë të mirë dhe sistem interesant që m’u përshtatej. Megjithatë, do të kishte qenë pikëlluese ta braktisi Milanin për Interin, sepse e doja atë klub”, theksoi ai.