Flet vajza e së moshuarës që u keqtrajtua: Para 4-5 ditësh isha në rezidencë, pashë shenja dhune.
Zhaneta Nura, e bija të moshuarës ndaj të cilës u ushtrua dhunë në qendrën e të moshuarve në Pejë “Orenda” ka thënë se është e shokuar me atë që i ka ndodhur nënës së saj.
Nura ka thënë se me ta parë xhirimin, i cili u shpërnda sot edhe në media, e ka tërhequr menjëherë nënën e saj nga kjo qendër. Ajo ka thënë se para 4 ose 5 ditësh kishte vërejtur shenja dhune në fytyrën e saj.
“Minimumi një herë ose dy herë në javë e kam vizitu nënën. Tash para 4-5 dite kam qenë në rezidencë, në herën e fundit, e kam parë një shenjë dhune në faqe, por s’më ka shkuar mendja që ka dhunë në një rezidencë me standarde zivcerane”, ka deklaruar ajo.
“Kam qenë në punë kur më ka ardhë ky xhirim. Mamën e kam tërhequr automatikisht prej aty dhe tani shpresoj që drejtësia ta qes në dritë këtë punë. Nënës time i ndodhi, por mos t’i ndodh dhe të tjerëve”, ka thënë ajo për rtv Dukagjinin.
Nura ka deklaruar se për strehimin e nënës së saj në këtë qendër, familja e saj ka paguar 600 euro për muaj, duke i bartur edhe shpenzimet e veshmbathjes dhe terapisë mjekësore.
“Ka qenë tronditje e madhe, stres i paparë. Kur një dhunë bëhet ndaj një nëne të sëmurë në atë rezidencë, të cilës s’di a t’i them rezidencë më. Besoj që secili prej qytetarëve më kupton. S’kam fjalë me përshkru dhimbjen që ka ndodhur. Kemi paguar 600 euro në muaj. Veshmbathja ka qenë prej nesh, terapia prej nesh”, ka deklaruar ajo.