Rrëfeshet sërish Granit Xhaka: Isha afër largimit pas zënkës me tifozë

08:55 | 31 July 2020

Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, e ka pranuar se ai kishte qenë shumë afër largimit nga klubi gjatë afatit kalimtar të janarit dhe e ka falënderuar trajnerin Mikel Arteta, që ia ka dhënë atij edhe një mundësi në klub.

Granit Xhaka raportohet se do të largohej pa asnjë dyshim nga Arsenali gjatë afatit kalimtar të janarit pasi atij iu mor shiriti i kapitenit në nëntor, pasi i shau tifozët që po e fishkëllenin kur po zëvendësohej në ndeshjen kundër Crystal Palave, transmeton Express.

27-vjeçari mungoi në skuadër për pesë ndeshjet vijuese, megjithatë ai e gjeti sërish veten nën drejtimin e trajnerit të ri, Mikel Artetas, të cilin tani e ka falënderuar.

“Të gjithë e dinë çfarë ndodhi mes meje dhe tifozëve. Nuk ishte një kohë e këndshme. Por, ndoshta ai ishte i rëndësishëm sepse unë u ktheva më i fuqishëm sesa kurrë më parë, kështu që kam mësuar nga ajo situatë. Shpresoj të kenë mësuar edhe tifozët”, ka thënë Xhaka.

“Unë i thosha gjithmonë vetes, por edhe tifozëve, se unë jam një djalosh që e jep 100 për qind nga vetja çdo ndeshje. Njerëzit filluan të më kuptojnë mirë me kalimin e kohës. Që të jem i sinqertë, isha shumë, shumë largimit. Deri në atë moment, e kisha pasur një kohë të mrekullueshme në klub”.

“Por, pas asaj, unë natyrisht ndihesha keq sepse nuk e prisja atë nga tifozët. Nuk e kisha pasur në mendje kurrë më parë largimin, por pasi ajo ndodhi, fillova ta mendoj atë”.

“Kur Mikel erdhi, unë e pata një takim shumë të këndshëm me të. Ai ma ktheu karrierën dhe ma dha një mundësi të dytë dhe më tregoi se më beson. Unë kam tentuar gjithçka për t’ia kthyer këtë të mirë”.

Komento: