Zero euro në bankë, rrëfimi i çiftit që mbijeton nga pagat në arsim.
Prej fillimi të muajit kontrollon llogarinë e tij bankare.
Por për arsimtarin e gjuhës shqipe, Shpejtim Hysenin, i cili punon në shkollën fillore ”Ismail Qemali” në Prishtinë, tash e 4 ditë është e njëjta gjendje.
Paga nuk i është ekzekutuar as bashkëshortes të tij, Durije Zeneli-Hysenit, e cila është mësuese në shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë.
Kredia është vetëm një nga sfidat me të cilat do të përballet ky çift gjatë muajit tetor, nëse nuk iu dalin pagat.
“Gati diku 120 euro bahen krejt, jo rryma, pastrimi, lifti, pastaj ku janë edhe gjërat tjera për fëmijët, ushqimet dhe produktet ushqimore që është një vlerë kogja e lartë për një muaj me kalu”, tha mësimdhënësja për T7.
E kur bëjnë listën e shpenzimeve për tetor, këtë muaj iu duhet të reduktojnë disa prej tyre. Mirëpo, krahas zhvillimeve të fundit, mësimdhënësja vazhdon të jetë optimiste.
“Kanë me dalë pagat”, tha ajo.
Veprimet e Qeverisë janë të papranueshme për kryefamiljarin, Shpejtim Hysenin.
“Ma shumë kisha thanë, budallaki. Për faktin që nuk ish prit që një nivel kaq i lartë institucional siç është Ministria dhe Qeveria, me e shkel të drejtën e punëtorit. Ne me rroga mezi po jetojmë se lëre më pa to”, tha ai.
Madje Hyseni shprehet i gatshëm për të marrë një veprim më ekstrem.
“Ka zëra që të vijë deri te mbyllja fare e shkollave, nëse s’dalin rrogat, as mos me dalë fare në punë. Nëse Qeveria e ka këtë qëllim, marre i qoftë dy herë. Unë hiq më larg se sot, shumë bindshëm e kam mendu, jo një punë të dytë, por me e lënë fare arsimin”, u shpreh Hyseni.
Por pavarësisht të gjitha vështirësive për dy mësimdhënësit ka rëndësi vetëm një gjë.
“Pare s’ka gru po me rëndësi shneta”.