Dëshmitari Elmi Xhylani gjatë dëshmisë para Gjykatës Themelore në Prishtinë në gjykimin për krime lufte ndaj të akuzuarit Dragisha Milenkoviq, ka thënë se i akuzuari e ka maltretuar rëndë dhe rrahur në mënyrën me të keqe të mundshme sa ishte i burgosur në burgun e Prishtinës.
Në këtë rast, Dragisha Milenkoviq po akuzohet se në cilësi të gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, ka torturuar në mënyrë ç’njerëzore të burgosurit.
Në seancën e së mërkurës, Xhylani deklaroi se sa herë që ka qenë në ndërrim Milenkoviq, e kishte larguar nga qelia e vetmisë dhe bashkë me gardianët tjerë e kanë maltretuar rëndë e rrahur në mënyrën më të keqe të mundshme.
Ai tha se Milenkoviq nuk e kishte lënë as të komunikojë me të burgosurit e tjerë, duke i thënë “ke me pa ti se kush është Dragisha”.
“…Diku dy muaj kam qëndru në burgun e Prishtinës, unë kam qenë një njeri që të gjithë të burgosurit e kanë ditë që jam i vdekur për shkak të shumë maltretimeve që më janë bërë”, tha Xhylani.
Gjithashtu, dëshmitari ka deklaruar se të gjithë gardianët e kanë rrahur dhe maltretuar, por më së shumti tani i akuzuari Milenkoviq.
Sipas Xhylanit, të gjitha këto maltretime nga Milenkoviq i janë bërë në burgun e Prishtinës ndërsa në burgun e Lipjanit nuk i kujtohet që e ka maltretuar i akuzuari, përveç në kordon gjatë hyrjes në burgun e Lipjanit, që i kanë rrahur.
“Më kanë çu në qelinë e vetmisë, po në beton më kanë lanë me nejt 18 ditë, pa pas kontakt me kërkon, unë tepër mirë jam, unë s’di qysh po muj me i thanë këto fjalë, sa herë kam shku me u pastru unë jam rreh nga Dragisha dhe gardianët tjerë”, ka thënë Xhylani.
Në këtë seancë, si ish-i burgosur dëshmoi edhe dëshmitari Ekrem Kastrati, njëherësh kryetar i Komunës së Malishevës, i cili ka thënë se personelin e burgut në Prishtinë dhe në Lipjan shumë pak i ka njohur për shkak që nuk ka qëndruar shumë aty.
Dëshmitari Kastrati, ka thënë se është burgosur më 1 shkurt 1997 si pjesëtar i Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës (UҪK) dhe ka qenë në strukturën operative dhe se është burgosur nga forcat serbe.
Kastrati tha se sa ka qëndruar në burgun e Prishtinës më shumë kanë qenë të torturuar në aspektin psikologjik me sharje e ofendime.
“Ҫka keni dashtë me ba, është e pamundshme kjo çka keni dashtë ju dhe do ta pësoni keq në fund, kemi me ju vra”, tha Kastrati se ishin fjalët që ua thonin gardianët. /Betimi për Drejtësi/