Rrëfimi i nxënësve nga Prishtina: Mësuesja po na vjedh para

17:24 | 14 February 2019

Rrëfimi i nxënësve së klasës së pestë nga Prishtina, duke thënë mësuesja 64 vjeçare po na vjedh para.

Nxënësit e klasës së pestë të shkollës “Emin Duraku”, në Prishtinë, po pretendojnë se mësuesja e tyre, 64-vjeçarja F.H., është duke iu marrë para. Për këtë ata janë drejtuar te prindërit, të cilët e kanë paraqitur rastin para drejtorit të shkollës. Ky i fundit po thotë se nuk mund të ndërmarrë masa pa pasur prova, ndërsa ka kërkuar nga prindërit që të ankohen në formë të shkruar e me fakte, shkruan Express.

Ka dy javë që në zyrën e Drejtorit të Shkollës fillore “Emin Duraku”, në Prishtinë, po drejtohen familjarë të nxënësve të klasës së pestë, e këta po ankohen ndaj një personi.

Bëhet fjalë për mësuesen F.H., e cila, sipas pretendimeve të prindërve e nxënësve, ka disa herë që po iu merr para, kinse për nevoja të shkollës. Së fundmi ata po thonë se ajo ia ka marrë edhe 10 euro një nxënëses nga çanta e saj, derisa të njëjtën e kishte dërguar për t’i sjellë ujë.

Për këto raste, i mirë informuar është drejtori i kësaj shkolle, Agron Maxhuani, por edhe mësuesja të cilës i kanë mbetur vetëm edhe dy muaj për të dalë në pension.
Në një rrëfim për Gazetën Express, M.B., babai i njërit nga fëmijët të klasës së mësueses F.H., ka deklaruar se krejt kjo situatë është shqetësuese për ta, ndërkaq po deklarohet edhe se së shpejti po planifikojnë të mblidhen edhe të gjithë prindërit e nxënësve të kësaj klase, për t’u ankuar në drejtori, pasi që ankesat individuale thonë se nuk iu morën parasysh.

M.B., ka deklaruar se dy herët e para kur fëmijët ishin ankuar se mësuesja iu kishte marrë para nuk kishte shkuar në drejtori, deri kur e njëjta, sipas pretendimeve të tij, ia kishte marrë njërit prej fëmijëve 10 euro, e për këtë thotë se kishte dëshmitarë edhe nxënësit tjerë.

“Mësuesja po u merr nxënësve para në emër të bamirësisë, për mirëmbajtjen e klasës e së fundmi edhe u ka marrë para nëpër çanta të klasës dhe drejtori është informuar po nuk ka marrë asnjë masë ndaj saj”, deklaroi prindi, duke shtuar se po ritin fëmijët në kushte të rënda dhe duan të dinë pse po u kërkohen para fëmijëve.

Përveç M.B., edhe një prind tjetër ka trokitur në drejtorinë e shkollës me të njëjtën ankesë.

Të dy këta kanë marrë përgjigjen e njëjtë nga kreu i shkollës: Ankesa që të procedohet më tutje duhet të bëhet me shkrim dhe të bazohet në prova, përndryshe nuk mund të merret për bazë.

Megjithatë për temën është njoftuar mësuesja. Nga ajo ditë, prindërit e nxënësve po thonë se ajo edhe ka ndryshuar qëndrim krahas tyre, e po ju flet me ton të lartë.

“Prej të hënës mësuesja veç po bërtet keni me pa a kam me dal unë fitimtare a jo”, thuhet t’u ketë thënë ajo nxënësve të saj.

Rasti i parë, sipas rrëfimeve kishte ndodhur kur e njëjta kishte kërkuar para për të lyer klasën, ndërkaq, i dyti kur e njëjta kishte kërkuar që të dërgonin para për t’i ndihmuar njërës nga nxënëset e klasës e cila ishte e sëmurë.

Rasti i fundit, sipas tyre ka ndodhur kur njërës nga nxënësve i kishin humbur 10 euro, e për këtë fëmijët kishin rrëfyer se i kishte marrë mësuesja nga çanta e nxënëses.

Familja e vajzës së sëmurë që ende nuk ka vijuar mësimin kanë mohuar se kanë marrë ndonjë cent nga F.H., ndërkaq paratë ende nuk u janë kthyer nxënësve.
“Mësuesja iu tha prapë me i mbledh paret për një shoqe që është e smut prej kamës, u ba operacion ka thanë kena me ia qu do pare, e shoqja na ka thanë se nuk mi kanë pru hiq paret”, deklaroi ai.

Pavarësisht se kërkesat e tyre ende nuk u morën për bazë, prindërit po mendojnë që të nënshkruajnë një peticion, por, frika e tyre është se mos ndikojnë diçka në mësimet e fëmijëve.

Në oborrin e shkollës “Emin Duraku”, sot gjatë ditës po luanin nxënësit e kësaj klase, e të njëjtit i pohonin sjelljet e mësueses së tyre.

Lidhur me këtë rast Express gjatë ditës ka folur edhe me drejtorin e shkollës.

Drejtori Agron Mexhuani ka bërë të ditur se posa të marrë diçka me shkrim, rasti do të procedohet në komisionet disiplinore, duke treguar se mësuesja është 64-vjeçare dhe për dy muaj do të dalë në pension.

“Dy prind kanë qenë që janë anku, ne kemi kërkuar një ankesë më shkrim, ku do të jepen fakte, sepse përderisa të argumentohet është e padrejtë të flasim. Nëse i sjellin dokumentet me shkrim unë kam të drejtë të merrem me mësuesen, filloj procedurat”, deklaroi ai, duke treguar edhe cilat janë pretendimet e prindërve.

“Janë dy momente ku kanë konsideruar se janë keqpërdor, në një moment ka qenë për gëlqerosjen e klasës që është një çështje që e kemi bë në baza vullnetare, ndërkaq, çështja e dytë, thuhet edhe se janë kërkuar disa mjete për shkak të një fëmije që ka qenë i sëmurë. Edhe e treta çështje është për 10-euro të cilat i kanë humb një fëmie. Dy prind kanë qenë i kam thënë nuk mundemi me e akuzu pa prova. Sidomos për një njeri që 40 vite ka kontribuar me arsim”, shtoi drejtoi i shkollës, duke treguar për mësuesen e ciklit të ulët.

I njëjti pohon se mësuesja është drejtuar vetë tek ai për të biseduar për këtë çështje, madje duke shtuar se për këtë ishte edhe shumë e shqetësuar.
Express, ndërkaq, ka provuar të kontaktojë edhe mësuesen, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ndërkaq, Express sjell edhe rrëfimet e disa prej nxënësve, identiteti i të cilëve nuk bëhet publik, ata rrëfejnë për rastin kur mësuesja ju kishte kërkuar para, si dhe për rastin tjetër ku pretendohet se e njëjta ju kishte marrë para nga çanta.

Nga shkolla ndërkaq kanë pohuar se në rast se vërtetohet se mësuesja ka bërë veprat për të cilat pretendojnë nxënësit do t’i shkojnë rastit deri në fund, nga ku ajo mund të ndiqet edhe penalisht.

Komento: