Rrëfimi për gruan nga Podujeva që i shëron njerëzit me Kuran

17:12 | 21 February 2019

Mjekësia popullore vazhdon të jetë prezente në Kosovë.

E njohin nga e gjithë Kosova. Ajo është bërë ‘ilaç” për hallet e shumë familjeve nga i gjithë vendi. Bëhet fjalë 75 vjeçaren nga Podujeva, e njohur në atë rajon si ‘Zaha’, emër që njihet në gjithë Kosovën.

Ajo “shëron” në mënyrë shpirtërore me anë të librit të shenjtë të myslimanëve.

Nga Drenica kishte marrë rrugë bashkë me nënën e djalin e vogël për në Podujevë. Ajo kishte një hall, të cilin po shpresonte se do t’ia zgjidhë një grua e rreth të 70’tave në këtë qytet.

E ulur në një karrige në një dhomë të vogël e të ngushtë, e moshuara priste e përcillte qytetarë nga e gjithë Kosova, që kishin marrë rrugën për te ajo.

Me shami në kokë, tespihe e Kuran në duar zonja e quajtur ‘Zaha’ nga Podujeva thotë se i zgjidh hallet e njerëzve.

Zonja nga Drenica, po kërkonte ndihmë te ‘Zaha’, për djalin e saj i cili thoshte se po ka problem në të ecur.

“Jam ardhë se djali diçka po ka problem në të ecur. Nuk po lëshohet. I ka 2 vite edhe nuk e dimë pse po ka probleme. Mjekët na kanë thënë se ka mjekësia është mirë. Nuk ka probleme. Edhe dëgjuam për këtë zonjën dhe vensosëm me ardhë”, thotë ajo.

Për të qarë halle te e moshuara nga Podujeva kishte ardhë të tregonte edhe një zonjë që për vite po punonte si mjeke.

“Vajza është në depresion. Nuk po ndihet mirë. Për të kam ardhë këtu”, tregon ajo.
Për halle të njëjta, në shtëpinë e 70 vjeçares marrin rrugën përditë me dhjetëra persona gjatë ditës. Disa për shërim, e të tjerë për të gjetur fatin e jetës.

Express ka qëndruar dje gjatë ditës në shtëpinë e zonjës nga Podujeva, e cila ka treguar për punën e saj, por që nuk dëshironte t’i përmendej emri, e as të fotografohej hapësira ku ajo e zhvillon veprimtarinë e saj.

Ajo ka treguar për Express se me këtë punë merret qe 30 vite.

Gjatë këtyre viteve, thotë se në shtëpinë e saj kanë ardhur njerëz me halle nga e gjithë Kosova.

Shumicës së tyre thotë se u ka gjetur zgjidhje, duke u lutur për ta, derisa të tjerët tregon se i ka drejtuar për te mjekët.

“Thuajse krejt çka kanë ardh, ua kam gjetë ilaçin kur janë ardh. Krejt këta e kam ba tu u lut te Zoti. Ata që kam mujt i kam ndihmu, të tjerët çka e kam pas që s’mundem si kam ndalë. Prej gjithë Kosovës më vijnë njerëz, tash e 30 vjet”, tregon e moshuara për Express.

Zgjidhje te ajo kërkojnë edhe gratë që nuk mund të mbesin shtatzënë.

“Disa vijnë që nuk mund të mbesin shtatzënë. Tjera vijnë për fejesë ose për naj sëmundje”, tregon ajo.

Por, “Zaha” nuk është e vetmja që e ka këtë “dhunti”.

Gazeta Express kohë më parë ka sjellë rrëfimin e plakës nga Hajvalia që i “lë” shtatzënë gratë dhe i “çon” nga karroca të paralizuarit.

Ajo për Gazetën Express, ka rrëfyer për punën që e bën qe pothuajse 50 vjet. Me vetëm leximin e librit të shenjtë për myslimanët, Kuranit, si dhe këndimin e 12 palë tespiheve, Fazile Berisha, thotë se mund të zgjidhë shumë probleme, madje edhe ato të cilat nuk ka mundur t’i zgjidhë as shëndetësia e as shkenca.

Po ashtu, Express ka sjellë edhe rrëfimin e lokes nga Drenica që i çon gratë drejt shtatzënisë nëpërmjet procesit të ‘ngjeshjes’ me sapunë e ujë.

Nënë Halimja nga Gllanasella e Drenicës, kishte treguar se qe 70 vjet ‘ngjesh’ femrat që nuk mund të kenë fëmijë.

Ndërsa, së fundi rrëfimin e Metush Rrahmani nga Gadimja e Lipjanit, që thotë se shëronte me bioenergji. Ai këtë dhunti e kishte zbuluar para dhjetë vjetëve, kur për herë të parë kishte shëruar djalin e tij, i cili kishte qenë i paralizuar nga këmbët.

Komento: