Rrëfimi prekës i Vasfijes, tregon se vështir e kishte të fliste në Kosovë për atë që i ndodhi në luftë

22:42 | 03 February 2019

Vasfije Krasniqi tregon se sa vështirë e kishte të fliste në Kosovë për ato që i ndodhën.

Vasfije Krasniqi Goodman, thotë se nuk ka qenë e lehtë periudha që kur foli për herë të parë para bashkëkombësave të saj për tmerrin që kishte përjetuar në duart e forcave serbe, megjithëse kishte folur më herët në Gjenevë dhe Kore për përvojën më të dhimbshme të jetës së saj.

“Por kur kam folur në Kosovë, ka qenë krejt diçka tjetër, se është më ndryshe të flasësh aty ku ka ndodhur rasti, në shtetin tonë. Por meqë unë fola, e theva heshtjen, tash jam më mirë, jam më e fortë dhe shpresoj t’u jap forcë dhe kurajë grave, burrave të tjerë për të folur në Kosovë publikisht”, tha ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Por që ta kuptosh plotësisht forcën e saj, si e mbijetuar e dhunës gjatë luftës, duhet të mos neglizhosh brishtësinë e saj dhe traumën që është gjithmonë e pranishme, e shprehur në formë emocionesh.

Sepse Vasfija pothuajse nuk e dha intervistën për Zërin e Amerikës. “Nuk mundem të flas”, tha ajo duke sugjeruar që Feride Rushiti, Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë, e cila po intervistohet me të, të flasë edhe në emër të saj. Feridja me butësi por pa e detyruar, e nxiti. Vasfija thotë se nëse të mbijetuarat e tjera nuk flasin dot publikisht, duhet ta bëjnë këtë privatisht.

“Me pas lirinë me folë me familjarët, me bashkëshortët, me prindërit, me vëllezër, me motra e me pasë mbështetjen dhe përkrahjen se qysh e kam unë, jo veç prej familjes time, se tash po kuptohet prej krejt kosovarëve, prej krejt shqiptarëve unë po kam mbështetje dhe përkrahje shumë të madhe”, tha ajo.

Në tetor të vitit të kaluar, Vasfije Krasniqi Goodman, e pushtuar nga emocionet, u bë e para e mbijetuar e dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës, që foli pa e fshehur identitetin. Me aktin e saj ajo i dha një fytyrë vuajtjes dhe tmerrit të mbi 20 mijë viktimave të tilla.

Goodman dhe Rushiti, ishin këtë javë në Neë York ku morën pjesë në një konferencë ndërkombëtare nën udhëheqjen e nobelistëve të paqes për kontributin e tyre në raport me viktimat e dhunës seksuale në luftë, Denis Mukëege Foundation dhe Nadia Murad, ku folën për përvojën e Kosovës.

“Konferenca ka karakter ndërkombëtar që ka sjellë në vetvete shumë iniciativa botërore, por mbi të gjitha prej përvojave të botës që janë veçuar, është përvoja e Kosovës dhe përvoja e Kolumbisë, për vetë faktin që këto dy shtete veç kanë filluar të punojnë dhe të veprojnë në fushën e reparacionit të viktimave të dhunës seksuale”, tha Rushiti.

Vasfije Krasniqi Goodman, në një mesazh për ata që kanë vuajtur si ajo, thotë se “kemi vuajtur në heshtje për 20 vjet”.

“Ne sa më shumë të heshtim, ne po mbrojmë serbin, po mbrojmë atë që bëri krimin, po shkatërrojmë veten, jetën tonë, kështu që duhet me folë, mos me ia falë serbit, me e kuptu bota se çka ka ba edhe institucionet dhe shtetet për me na mbrojtë që Serbia me na kërku falje për rastet që ka ba dhe të japë dëmshpërblim për ato që bëri dhe me marrë drejtësi”, thotë ajo.

Rushiti thotë se organizata e saj dhe organizata të tjera kanë bërë përpjekje që të dëgjohet zëri i të mbijetuarve dhe se një nga objektivat kryesore u arrit vitin e kaluar kur institucionet e Kosovës, shprehën gatishmërinë për t’i njohur si viktima të luftës dhe për të dhënë kompensim në formë të një pensioni personal.

“… që nuk është vetëm kompensim monetar, është njohje e vuajtjes, njohje e dhimbjes dhe plagës shpirtërore të mbi 20 mijë grave dhe burrave, djemve dhe vajzave të cilët janë torturuar dhe dhunuar gjatë luftës”, tha ajo.

Por Rushiti thotë se kompensimi nuk është i mjaftueshëm.

“Ne mendojmë se sfida e radhës për ne dhe për të gjitha të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës, është qasja në drejtësi për faktin se tani edhe 20 vite pas luftës nuk kemi një kriminel të vetëm prapa grilave, për krimin e bërë gjatë periudhës së luftës, prandaj është obligimi ynë por edhe i shoqërisë, edhe institucioneve që të bëjmë më tutje në fuqizimin e këtyre grave, vajzave dhe burrave për të kërkuar drejtësi pranë institucioneve të Kosovës”, thotë ajo.

Goodman dhe Rushiti, jo vetëm që mishërojnë zërin e të mbijetuarave dhe të aktivistëve që janë bërë avokatët më të fuqishëm të tyre. Ato i sjellin me vete edhe në mënyrë simbolike. Mbi bluzën e zezë të Rushitit, rrëzëllen një lule të verdhë, që është bërë emblema e fushatës për sensibilizimin për sakrificat e të mbijetuarve nga dhuna seksuale gjatë luftës. Ndërsa mbi golfin e kuq të Goodman, bie në sy një varëse e veçantë. Është një nga krijimet e grave nga Kosova, që si ajo kanë mbijetuar.

Komento: