Tashmë janë vendosur rregulla të reja për alpinistët që duan të ngjiten në Everest.
Alpinistët që duan t’i ngjiten malit Everest, tani përballen me rregulla të reja.
Para së gjithash ata duhet të demonstrojnë se janë alpinistë me eksperiencë, para një paneli këshillues që qeveria e Nepalit ka krijuar.
Aplikantët madje duhet të kenë ngjitur një majë tjetër në Nepal, të paktën 6500 metra të lartë para se të tentojnë Everestin.
Duhet po ashtu të ofrojnë një certifikatë për aftësinë fizike dhe të pajtojnë guida me eksperiencë.
Më herët këtë vit, të paktën 11 vetë humbën jetën ose u zhdukën në anën nepaleze të Everestit dhe dy të tjerë në anën tibetiane.
Dhe të paktën katër prej këtyre rasteve u shkaktuan nga mbipopullimi në majë.
Tani, ekspertët kanë propozuar një pagesë prej të paktën 35 mijë dollarësh për ata që duan t’i ngjiten Everestit dhe 20 mijë për maja të tjera më të larta se 8 mijë metra, shkruan Top Channel.
Nepali, mban tetë nga 14 malet më të larta të botës dhe alpinistët e huaj janë një burim i madh të ardhurash. Rregullat e reja vijnë pas kritikave nga alpinistë me eksperiencë dhe guidave për sistemin e deritanishëm, që lejonte këdo që mund të paguante 11 mijë dollarë, t’i ngjitej Everestit.
Qeveria e Nepalit ka lëshuar një rekord prej 381 lejesh për këtë sezon.