Rregullorja e re, paga bazë e deputetëve do t”iu zbritet nëse mungojnë në seanca – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Rregullorja e re, paga bazë e deputetëve do t”iu zbritet nëse mungojnë në seanca

22:29 | 16 Janar 2022

Kuvendi i Kosovë do të ketë një rregullore të re.

Në këtë rregullore janë paraparë sanksionet financiare të deputetëve për mungesë në seanca.

Pas përfundimit të draftit për rregulloren e re të punës së Kuvendit të Kosovës, pritet që i njëjti të shqyrtohet dhe miratohet në lexim të parë brenda këtij muaji.

Deri në këtë fazë të gjitha partitë politike janë shprehur pro miratimit. Rregullorja e re e punës së Kuvendit do t’i përfshijë edhe sanksionet financiare për deputetët që nuk marrin pjesë në seanca plenare dhe nuk e lajmërojnë paraprakisht kryetarin e Kuvendit.

Nga KDI thonë se zgjedhjet lokale ndikuan në punën e Kuvendit të Kosovës, me ç’rast edhe u vonua procedimi i rregullores së re të Kuvendit.

‘Fillimisht ishte menduar që rregullorja të procedohet në sesionin pranverorë të vitit të kaluar, më pas u shty për atë vjeshtorë, por zgjedhjet lokale penguan dinamikën…Duket se këtë herë ka gatishmëri që të arrihen së paku 80 vota dhe rregullorja e re të kalojë në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Agnesa Haxhiu nga KDI.

Anëtari i LVV-së në grupin punues, Adnan Rrustemi pret që kjo rregullore gjatë këtij muaji të jetë në Kuvend për procedim dhe miratim.

“Rregullorja e re e Kuvendit, iu shërben të gjithëve. Gjithsesi pres që në janar rregullorja të jetë në shqyrtim dhe lexim të parë, pastaj në përputhje me procedurat që ka rregullorja e vjetër, të presim amandamentimet që sjellin deputetët”, deklaroi Rrustemi për RTV 21.

Anëtarët e PDK e LDK në grupet punuese nuk janë deklaruar nëse do të votojnë pro rregullores së re, derisa nga AAK kanë thënë se do ta votojnë këtë rregullore.

“Edhe kjo legjislaturë sikurse edhe ato paraprake janë vonuar në miratimin e rregullores. Në fakt rregullorja nuk është miratuar pasi LVV ishte kundër gjatë gjithë këtyre viteve. Ne jemi për dhe kemi marrë pjesë në hartimin e rregullores”, deklaroi Besnik Tahiri.

Rrustemi thotë se me rregullore parashihet edhe ndëshkimi i deputetëve nëse ata mungojnë në seanca pa lajmëruar paraprakisht Kryetarin e Kuvendit.

“Rregullorja e re adreson edhe çështjen e mospjesëmarrjes së deputetëve në seanca parlamentare. Natyrisht se është paraparë se ashtu siç marrin mëditje deputetët duke marrë pjesë në seanca, do të ndëshkohen financiarisht nga paga bazë deputetët që nuk marrin pjesë në seanca pa njoftuar paraprakisht Kryetarin e Kuvendit”, deklaroi Rrustemi.

Për këtë rregullore nevojitet vota e 2/3 së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Komento: