Përmbytjet në Gjermani, banorët: Rrënojat mund të bëhen pengesë për rindërtimin.
Banorët e një prej rajoneve më të goditura nga përmbytjet në Gjermani, kanë një shqetësim të madh. Rrënojat e ndërtesave, por edhe mbetjet e tjera mund të sjellin vështirësi për rindërtimin e zonës.
“Nuk dimë ç’të bëjmë. Kam 4 fëmijë. Kjo është një fatkeqësi. Askush nuk më ka thënë se sa duhet për të rindërtuar këtë vend, që mund të shkojë deri në dy vite”, thotë një nga banorët e qytezës Ahreweiler.
Një tjetër banor, rrëfen tmerrin e përjetuar, duke thënë se niveli i ujit u rrit nga 20 centimetra deri në mbi 1 metër vetëm për pak minuta.
“Nuk kemi energji elektrike as ujë të pijshëm. Nuk di ç’të them. Duhet të pushoj dhe të flas me njerëzit, ndryshe do të çmendem”, thotë një tjetër, që ka humbur gjithçka.
Të paktën, 157 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë shpallur të zhdukur nga përmbytjet shkatërrimtare të shkaktuara nga shirat e dendur. Zonat e dëmtuara u vizituan nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.
“Është e tmerrshme. Nuk ka asnjë fjalë në gjuhën gjermane për të përshkruar këtë shkatërrim. Sidoqoftë, ajo që kam parë dhe ajo që është tepër ngushëlluese, është se si njerëzit qëndrojnë së bashku, si po ndihmojnë njëri-tjetrin”, deklaroi ajo.
Qeveria federale e Gjermanisë u zotua të ndjekë nga afë të gjitha veprimet për të rikthyer jetën normale në zonat e përmbytura.