Rreshteri i dyshuar për privim nga jeta të një personi në Suharekë është hetuar 16 herë nga Policia

08:05 | 19 March 2019

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu, është përballur me shumë procese hetimore, përpara se ai të arrestohej në fundjavë, me dyshimin se ka privuar nga jeta 32-vjeçarit J. A., në Suharekë.

Spahiu dyshohet se, ndërsa po përpiqej të kryente grabitjen në një kazino, të dielën në mëngjes, qëlloi për vdekje punëtorin e saj, shkruan sot Koha Ditore.

Përderisa dy vjet më parë ishte akuzuar për keqpërdorim sek.sual të dy të miturave, akuzë nga e cila ishte liruar në mungesë të provave, “Koha Ditore” është informuar se i njëjti zyrtar është hetuar nga komisionet e brendshme të Policisë së Kosovës plot 16 herë.

Nga dhjetori i vitit të kaluar, ai është duke u hetuar edhe për dy vepra të tjera penale “falsifikim i dokumenteve dhe “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Në procedura të brendshme, shumicën e herëve është gjetur fajtor. Por “fajësia” e tij në këto raste nuk ka qenë argument i mjaftueshëm që Policia e Kosovës t’ia ndërpresë kontratën e punës.

Komento: