Rreth 2.2 milionë shtetas të Kosovës kanë hyrë në Shqipëri për tetë muaj – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Rreth 2.2 milionë shtetas të Kosovës kanë hyrë në Shqipëri për tetë muaj

21:49 | 23 Shtator 2021

Mbi 2 milion kosovarë ka hyrë në Shqipëri në tetë muaj.

Në bazë të shifrave të INSTAT-it, Kosova ka shënuar rekorde për sa u përket hyrjeve në Shqipëri me 2 milionë e 177 mijë e 412 shtetas për periudhën janar-gusht 2021, duke mbajtur 50% të numrit të përgjithshëm të shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë në këtë periudhë dhe duke shënuar një rritje prej 153.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ku Shqipërinë e vizituan 859.925 shtetas të Kosovës.

Vetëm në muajin gusht numri i hyrjeve të qytetarëve nga Kosova në Shqipëri ka mbërritur në afro 800 mijë, duke shënuar rritje prej 123 për qind krahasuar me një vit më parë, shkruan lajmi.net.

Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Gusht 2021, janë 2.185.493. Krahasuar me Gusht 2020, ky tregues rezulton me një rritje 2,6 herë. Në Gusht 2021, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.537.191. Krahasuar me Gusht 2020, ky numër është rritur me 2,7 herë.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë tetëmujorit të 2021, është 4.384.072, duke u rritur me 2,5 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Në tetëmujorin e 2021, vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur rritjen më të madhe me 4,6 herë dhe Polonia me 3,9 herë, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 9,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Gusht 2021, janë 2.154.672 duke shënuar një rritje me 2,5 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Gusht 2021, janë 677.842. Krahasuar me Gusht 2020, ky numër është rritur me 2,2 herë. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Gusht 2021, janë 1.476.830. Krahasuar me Gusht 2020, ky numër është rritur me 2,8 herë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë tetëmujorit të parë të 2021, është 2,856,861. Ky tregues është rritur me 47,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Komento: