Rreth 3 mijë euro për bileta aeroplani shpenzoi kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca për 8 muaj

15:21 | 11 Nëntor 2023
rreth-3-mije-euro-per-bileta-aeroplani-shpenzoi-kryetari-i-kuvendit-glauk-konjufca-per-8-muaj

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca për tetë muaj të këtij viti ka udhëtuar me aeroplan pesë herë.

E, vetëm për këto udhëtime ai për bileta aeroplani ka shpenzuar nga buxheti i shtetit 2,779.54 euro.

Këto të dhëna janë bërë të ditura për Front Online, pas kërkesës për qasje në dokumente publike.

Nga muaji janar deri në gusht Konjufca për tre muaj shkurt, mars e prill nuk ka udhëtuar fare.

“Në muajin janar për biletë aeroplani Konjufca ka shpenzuar 75 euro, në muajin maj 1,212.71 euro, në qershor 353.15 euro, në muajin korrik 785.53 euro dhe në gusht 353.15 euro”, bëhet e ditur në përgjigjen e Kuvendit për Front Online.

 

Shpenzimet e Konjufcës për udhëtime në Francë e Gjermani

Tri udhëtime zyrtare ka pasur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë muajve qershor, korrik e tetor.

Në muajin qershor dhe korrik ai ka udhëtuar për në Strasburg të Francës, derisa në muajin tetor ka qenë në Gjermani.

Të gjitha këto udhëtime të Konjufcës, buxhetit të shtetit i kanë kushtuar 1,019.40 euro

Për udhëtimin që ka pasur në Strasburg prej 18 deri më 21 qershor kryetari Konjufca ka shpenzuar 395.00 euro.

Në po të njëjtin vend në data të njëjta ai ka qëndruar edhe në muajin korrik.

Për këtë udhëtim ai ka shpenzuar 371.80 euro.

Kurse, për udhëtimin zyrtar që ka pasur në muajin tetor në Gjermani kryetari Glauk Konjufca  ka shpenzuar vetëm 252.00 euro.

Nga kabineti i Konjufcës nuk kanë treguar se sa i kushtuar akomodimi kryetarit në Gjermani, por vetëm për dy udhëtimet që ka pasur në Strasburg të Francës.

Gjithsej janë shpenzuar 1,312.60 euro.

Në udhëtimin e parë akomodimi kryetarit Konjufca i ka kushtuar 613.96 euro, kurse në udhëtimin e dytë 698.64 euro.

Nga zyra e kryetarit të Kuvendit kanë treguar se për periudhën janar-shtator të këtij viti kabineti i kryetarit ka shfrytëzuar dy vetura.

Për servisimin e tyre nga Kuvendi janë paguar 535.00 euro.

Ndërsa janë hargjuar derivate prej 2516.41 litra, derisa janë kaluar 17450 kilometra./Front Online

 

 

 

 

 

 

 

Komento: