Shpëtohen rreth 60 minatorë të bllokuar brenda minierës së Stantërgut.
Rreth 60 minatorë të Minierës së Stantërgut, në Mitrovicë pas mbarimit të orarit të punës kanë mbetur të bllokuar në horizontin e 12-të për shkak të prishjes së liftit. Mirëpo, të njëjtit janë nxjerr me anë të skipave (kanaleve), prej nga nxirret xehja prej horizonteve nëntokësore në sipërfaqe.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani.
Sipas tij, nxjerrja e minatorëve zgjati diku katër orë, ku siç tha Osmani nuk ishte e lehtë pasi që kjo mënyrë e improvizuar është mjaft e rrezikshme për jetët e minatorëve.
“Makina ngritëse për transportin e minatorëve ka pasur një defekt teknik në rrymë dhe nuk kanë mundur që ta rregullojnë. Punëtorët kanë dal jashtë në mënyrë të improvizuar me Skipa. Në këtë Skip duhet të hipin deri në katër persona, jo më shumë. Nga ora 11:30 deri në orën 03:00 të mëngjesit kemi arritur t’i nxjerrim nga horizonti minatorët e ndërrimit të dytë”, tha Osmani.
Osmani po ashtu tha se pos stresit që kanë përjetuar minatorët, të gjithë janë mirë me shëndet.
“Kur të ndalet rryma e ka defekte është njëfarë stresi”, ka thënë ai.
Ai tutje tregoi se për shkak të defektit të liftit ndërrimi i tretë i minatorëve si dhe ndërrimi i parë i mëngjesit të sotëm nuk kanë hyrë në minierë për të punuar.