Rreth 800 milionë euro i dërgoi këtë vit diaspora në Kosovë

09:59 | 01 December 2020

Me gjithë situatën e vështirë të shkaktuar nga pandemia Covid-19 si në Kosovë ashtu edhe në vendet ku jeton diaspora jonë, këta të fundit kanë vazhduar të ndihmojnë shumë familjet e tyre dhe përmes tyre ekonominë tonë.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti ka thënë se vetëm në periudhën janar-tetor 2020, mërgimtarët kanë dërguar 90 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2019.

Ai ka shtuar se kjo shumë e parave janë dërguar nga bankat komerciale, përmes agjencive për transferim të mjeteve, por edhe nëpërmjet kanaleve joformale.

Ndërsa thotë se shtetet që kanë dërguar më së shumti të holla në Kosovë, janë ato gjermano folëse, si Gjermania, Zvicra, Austria, të përcjella nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca.

“Gjatë periudhës janar-tetor 2020, vlera e dërgesave nga mërgimtarët arriti në shifrën prej 795.6 milionë euro apo 90 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2019, ku totali i remitencave ishte në vlerën prej 705.6 milionë euro. Nga kjo shumë 115.3 milionë janë të dërguara përmes bankave komerciale, 556.9 milionë nëpërmjet agjencive për transferim të mjeteve, ndërsa 124.2 milionë erdhën përmes kanaleve joformale siç është bartje e parave në xhepa.”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa thotë se vetëm në muajin maj të këtij viti janë dërguar rreth 104 milion euro, krahasuar me muajin maj të vitit të kaluar që kishin dërguar afër 79 milionë.

Sipas Ahmetit, shteti prej të cilit vijnë më së shumti remitencat është Gjermania, më pas Zvicra, Italia dhe Austria

“Vlera më e madhe e remitencave të dërguara gjatë këtij viti ishte muaji maj ku u dërguan 104 milionë euro, përderisa në majin e njëjtë të vitit paraprak, u dërguan 78.4 milionë euro. Shtetet prej nga më së shumti janë dërguar remitencat prijnë shtetet gjermano folëse si Gjermani, Zvicër, Austri, të përcjella nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca”, ka thënë Ahmeti.

Komento: