
Moderatori i njohur i Big Brother VIP Kosova, Alaudin Hamiti, ka publikuar një video vetëm pak orë para nisjes zyrtare të edicionit të pestë të këtij reality show, duke paralajmëruar një mbrëmje të mbushur me surpriza dhe emocione.
Interesimi për sezonin e ri është rritur ndjeshëm, sidomos pas befasive të fundit nga Vëllai i Madh.
Futja e tre banorëve në shtëpi para nisjes zyrtare të spektaklit ka shkaktuar konfuzion dhe diskutime të shumta te publiku, i cili tashmë po përpiqet të kuptojë se çfarë po përgatitet për këtë edicion.
Megjithatë, sipas Alaudinit, ajo që është parë deri më tani nuk është asgjë në krahasim me atë që pritet të ndodhë gjatë Prime-it të parë.
Moderatori ka theksuar se surpriza e mbrëmshme ishte vetëm fillimi i një sezoni që premton shumë zhvillime dhe momente të papritura.
Në videon e publikuar, Hamiti u është drejtuar të gjithë shikuesve, duke i ftuar të bëhen gati për spektaklin e madh që nis sonte në orën 21:00.
“Vëllai i Madh ju ka bo konfuz me atë që vendosi me i fut 3 banorë para startit të Big Brother. Por për të gjithë juve, që jeni konfuz, sonte në 21:00 dhe në Klan Kosova dhe gjithandej, Youtube, mund ta ndiqni Big Brother-in”, ka deklaruar ai.
Me këtë mesazh, Alaudini ka rritur edhe më shumë pritshmëritë për mbrëmjen e parë, duke lënë të kuptohet se publiku duhet të përgatitet për një spektakël të veçantë. Tashmë mbetet të shihet se çfarë surprizash të tjera ka rezervuar Vëllai i Madh dhe cilët do të jenë banorët që do ta bëjnë këtë edicion një nga më të komentuarit.
