Rrezik për konsumatorët nga “Vipa Flips”: Sllovenia tërheq produktin e Pestovës për alergjen të padeklaruar

09:46 | 25 Shtator 2026

Një produkt i kompanisë kosovare Pestova në Vushtrri është tërhequr nga tregu në Slloveni, pasi analizat zyrtare kanë zbuluar praninë e proteinave të qumështit, ndonëse ky alergjen nuk ishte deklaruar në listën e përbërësve të produktit.

Bëhet fjalë për produktin “Vipa Flips Ketchup”, 60 gramë, për të cilin Administrata sllovene për Sigurinë Ushqimore, Veterinarinë dhe Mbrojtjen e Bimëve ka konstatuar se mund të paraqesë rrezik të papranueshëm për shëndetin e fëmijëve dhe të rriturve që janë alergjikë ndaj proteinave të qumështit.

Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në platformën shtetërore, mostra e produktit është marrë në kuadër të kontrollit zyrtar të ushqimit. Analizat kanë treguar praninë e proteinave të qumështit, por ato nuk figuronin në deklaratën e produktit si përbërës. Autoritetet sllovene kanë identifikuar dy lote të produktit: Lot 11.08.26SP 13:28 FK 04/26, me afat përdorimi deri më 11 shkurt 2027, dhe Lot 07.08.26SP 13:39 FK 04/26, me afat përdorimi deri më 7 mars 2027, raporton portali Front Online.

Prodhues i produktit figuron kompania Pestova LLC, Kosovë, ndërsa distributor në Slloveni është Dah Group d.o.o. – PE Balkan Market Dina H, Maribor.

Rrezik për personat alergjikë

Në vlerësimin zyrtar të rrezikut, autoriteti slloven është i qartë se prania e proteinave të qumështit, pa qenë ato të deklaruara në ambalazh, mund të rrezikojë konsumatorët që kanë alergji ndaj këtij përbërësi. Për këtë arsye është ndërmarrë masa e tërheqjes së produktit nga tregu. Konsumatorët me alergji ndaj proteinave të qumështit janë paralajmëruar që të mos e përdorin dhe të mos e konsumojnë produktin, raporton portali Front Online.

Sipas autoriteteve sllovene, produkti konsiderohet i sigurt për konsumatorët që nuk kanë ndjeshmëri apo alergji ndaj proteinave të qumështit. Megjithatë, konsumatorëve u është mundësuar kthimi i produktit në vendin ku është blerë.

Komento: