NATO ngre alarmin për “rrezik real” të luftës në Ukrainë
NATO ka ngritur alarmin për krizën në Ukrainë, duke paralajmëruar për “një rrezik real për një konflikt të ri të armatosur në Evropë” dhe ka premtuar të përforcojë krahun e saj lindor.
Duke folur të premten nga një bazë ajrore në Rumani, ku Shtetet e Bashkuara kanë vendosur përkohësisht ushtarë, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca e udhëhequr nga Uashingtoni do të konsiderojë mbajtjen e një pranie afatgjatë në Evropën Lindore në muajt e ardhshëm, njofton Klan Kosova.
Ai ritheksoi frikën e fuqive perëndimore për luftë, derisa përpjekjet diplomatike për të zbutur tensionet dobësohen, ndërsa Rusia mban më shumë se 100,000 trupa të stacionuara pranë Ukrainës dhe kryen stërvitje ushtarake në Bjellorusi.
Ndërkohë, Moska akuzoi NATO-n për përdorimin e krizës si “pretekst” për rritjen e pranisë së saj ushtarake pranë kufijve të Rusisë.