Kosovari rrezikon dëbimin nga Zvicra, mashtroi sigurimin shëndetësor me 50 mijë franga.
Ka marrë pushim mjekësor për më shumë se një vit dhe gjatë kësaj kohe ka fituar 50,000 franga nga Suva. Tani kërcënohet me dëbim
Një punëtor ndërtimi në Burgdorf BE merr pagesën e sëmundjes për më shumë se një vit dhe aplikon për një pension IV. Përditshmëria e 37 vjeçarit përshkohej nga vuajtje të pabesueshme. Sapo zgjohet në mëngjes, ai duhet të gëlltisë gjashtë pilula. Po ashtu, ai kurrë nuk mund të flejë më shumë se pesë orë.
Në fillim të vitit 2017, atij ja kishte zënë këmbën e majtë dera e makinës. Një vit më vonë, ai qe rrëzuar aksidentalisht në një garazh parkimi dhe kishte lënduar shpatullën.
Të paktën kështu duket historia nga këndvështrimi i tij. Por autoritetet e shohin ndryshe – siç raporton “Berner Zeitung”, ai tani akuzohet për mashtrim të shumëfishtë. Kosovari duhet të përgjigjet në Gjykatën e Qarkut, në Burgdorf sot, të mërkurën.
Nuk ka dyshim se aksidentet e përmendura kanë ndodhur. Por prokurorja dyshon se ai do të vuajë nga pasojat e aksidenteve për kaq shumë kohë, transmeton albinfo.ch. “I akuzuari është fallco”, thuhet në akuzën e saj.
Kosovari, nga ana tjetër, thotë se nuk ka bërë asgjë të keqe. Më në fund mjekët i kanë diagnostikuar sëmundjen atij.
Por, ka dyshime të forta edhe këtu. Në aktakuzë thuhet se i akuzuari i ka mashtruar 13 mjekët që e kanë trajtuar për sëmundjet fizike, depresionin, “flashbacks” dhe çrregullimet e gjumit. 37 vjeçari kishte përfituar nga fakti se mjekët ishin të varur nga deklaratat e pacientit për dhimbje dhe probleme psikologjike.
Ai kishte vazhduar të punonte në kantierin e ndërtimit pavarësisht nga sëmundjet e supozuara
Tani, ai akuzohet se ka marrë gabimisht gati 48 mijë franga nga Suva. Thuhet se ai është përpjekur të mashtrojë IV (pensionin e invaliditetit) me 670,000 franga të tjera. Por IV e ka refuzuar disa herë kërkesën për pension.
Imazhet e kamerave sugjerojnë gjithashtu se dhimbja nuk është aq e rëndë sa pretendon ai. Kompania e sigurimeve “Axa” kishte vëzhguar të akuzuarin. Regjistrimet përkatëse tregojnë se i akuzuari tashmë ishte duke punuar sërish në ndërtim derisa merrte ndihmat nga sigurimi shëndetësor.
Mund të dënohet me shtatë vjet dëbim dhe 2.5 vjet burg
Jo vetëm kosovari 37-vjeçar, por edhe gruaja e tij nga Maqedonia pret një dënim të ashpër nëse ai shpallet fajtor. Kjo e fundit mësohet se e ka shoqëruar në terminet e mjekut dhe ka mbështetur historitë e mashtrimit.
Të dy përballen me dëbimin nga vendi për shtatë vjet. Për burrin duhet të ketë edhe një dënim prej 2.5 vitesh burg, nga të cilat duhet të vuajë gjashtë muaj, përcjell albinfo.ch. Kështu kërkon prokurori.
I dyshuari kryesor jeton në Zvicër prej nëntë vitesh. Gruaja e tij ka lindur në Maqedoni, por ka ardhur në Zvicër si fëmijë. Vendimi do të shpallet të premten.