Kalimi i Ziyech në PSG rrezikon të dështojë për faj të Chelseat.
Kalimi i Hakim Ziyech në Paris Saint-Germain rrezikon seriozisht të dështojë.
Në fakt, mbrëmë është mbyllur afati kalimtar i janarit dhe futbollisti maroken nuk e di ende se ku do të luajë në pjesën e dytë të sezonit.
29 vjeçari shihej nga gjiganti francez si zëvendësues ideal i Pablo Sarabias, i cili përfundoi në Wolerhampton.
Mirëpo, mesfushori ofanziv duket se nuk do të bëjë pjesë në ekipin e yjeve të Christophe Galtier.
Lojtari e kishte arritur marrëveshjen me PSG-në dhe dje i kaloi edhe vizitat mjekësore në spitalin amerikan të Neuillyt.
Mirëpo, edhe pse në teori ishte mbyllur gjithçka, dështoi praktika.
E krejt kjo për faj të Chelseat, shkruan Gazeta Express.
“Blues” në fakt i kanë dërguar tri herë dokumentet e gabuara dhe kjo ka bërë që ky transferim të dështojë, të paktën për momentin.
Të dyja klubet po mundohen ta gjejnë një zgjidhje edhe pse tash ka përfunduar afati kalimtar i janarit dhe dokumentet nuk janë dorëzuar me kohë.
Hakim Ziyech po qëndron në një hotel të Parisit në pritje të lajmeve më të reja, ndërkohë që është mjaft i dëshpëruar me dështimin eventual të këtij transferimi.
PSG-ja do ta bëjë sot një kërkesë në Federatën Franceze për të bërë përjashtim “të vullnetit të mirë” duke e pasur parasysh se klubi nga Ligue 1 nuk kishte faj në dështimin e këtij transferimi.
Ziyech shpresonte t’i bashkohej në fazën ofanzive treshes së ëndrrave: Messi – Neymar – Mbappe, ndërsa mund të rikthehet në realitet – një rezervist në Chelsea, ku këtë edicion i nisi veç gjashtë ndeshje nga fillimi, ndërsa në total u paraqit ne 15 takime me “Të Kaltrit”.