Rrëzimi i Qeverisë Haradinja, opozita nuk i bashkohet Listës serbe

14:38 | 11 March 2019

Po kërkohet që të rrëzohet Qeveria Haradinaj.

Partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë me Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se partia e tij do të procedojë në Kuvend mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj, në momentin që i siguron 61 vota, për rrëzimin e qeverisë, por sipas tij nuk do të pranojnë kushtëzime nga askush.

“LDK do të procedojë me mocion te votëbesimit ndaj Qeverise së PAN-it në momentin që sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës. Por, nuk pranon asnjë kushtëzim nga askush”, ka thënë Hoti, përmes një postimi në Facebook.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka deklaruar se pavarësisht se Qeveria Haradinaj u formua me bekimin e Qeverisë së Serbisë, si parti nuk pranojnë rrëzimin përmes Listës Serbe.

“Pavarësisht se Qeveria u formua me Listën Serbe, respektivisht me bekimin e Qeverisë së Serbisë, ne nuk e rrëzojmë Qeverinë përmes kësaj partie, por përmes opozitës së Kosovës. Ne as nuk i llogarisim e as nuk i kërkojmë votat e Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë. Qeveria e Kosovës duhet të bjerë, zgjedhje duhet të ketë sa më parë, por jo sepse do Serbia, por sepse duan qytetarët e Kosovës”, ka thënë Selimi.

Sipas tij ndonëse Vetëvendosje nuk mbështetet në vullnetin e Listës Serbe, nëse këta të fundit vendosin të votojnë pro rrëzimit të Qeverisë, atëherë partia e tij nuk mund t’ua ndalojë një gjë të tillë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se partia e tij nuk ka vota për të bashkëpunuar me Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk kemi vota për ata që i quajnë bandita përfaqësuesit legjitim të Kosovës dhe për ata që veprojnë çdo ditë kundër Republikës së Kosovës. Mbetemi jo vetëm të hapur, por edhe të interesuar, për bashkëpunim me të gjitha forcat progresive lokale dhe rajonale, që angazhohen për barazi midis popujve”, ka thënë mes tjerash Sejdiu.

Lista Serbe është e gatshme të votojë për rrëzimin e Qeverisë së Ramush Haradinajt, nëse opozita siguron 51 vende në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar deputeti i kësaj partie Igor Simiq.
Simiq ka thënë për “Pink TV” se do të kthehej në Kuvendin e Kosovës në kohën kur opozita të mbledhë nënshkrime për shkarkimin e qeverisë.

Ai është shprehur se Lista Serbe nuk është në Parlamentin e Kosovës, pasi dëshiron të jetë me popullin e saj dhe jo me praninë e saj duke i dhënë legjitimitet sesioneve parlamentare, “sepse ata formuan një ushtri me 107 vota”.

“Çfarë do të bëjmë me 9 për qind ose 10 vota? Do të hyjmë në Kuvend sapo opozita parlamentare të mbledhë 51 nënshkrime për rënien e qeverisë”, tha ai

Komento: