Rrisin çmimin e dozave Pfizer dhe Moderna

14:44 | 02 August 2021

Pfizer dhe Moderna rrisin çmimin e dozave.

Kërkesa e lartë ka bërë që firmat Pfizer dhe Moderna të shfrytëzojnë rastin për të rritur çmimin e vaksinave të tyre.

Media prestigjioze ndërkombëtare si Reuters shkruajnë se në kontratën e re të furnizimit që dy firmat kanë nënshkruar me Komisionin Europian konstatohet rritje me gati çerekun e çmimit të deritanishëm.

Çmimi i ri i dozës së Pfizerit është 19.5 euro, 4 euro më shumë se i mëparshmi. Ndërsa Moderna ia shet tani unionit dozën me 21.5 euro, më shumë se 2 euro më shtrenjtë. Dy firmat amerikane nuk kanë bërë asnjë koment për këtë rritje çmimi, që vjen pak ditë pasi Komisioni Europian njoftoi se është në rrugën e duhur drejt përmbushjes së objektivit për vaksinimin e 70% të të rriturve deri në fund të kësaj vere.

Vaksinat e Pfizerit dhe Modernës zënë gati gjysmën e dozave të administruara deri tani në vendet e unionit për imunizimin e popullatës kundër koronavirusit.

Pfizer dhe Moderna kanë shtuar ndjeshëm fitimet nga shitja e vaksinave. Vetëm për këtë vit, Pfizer parashikon mbi 28 miliardë Euro të ardhura nga vaksinat, mbi 6 miliardë më shumë se parashikimi i mëhershëm.

Ndërsa Moderna parashikon mbi 16 miliardë Euro fitime. Në dallim nga këto firma, britanikja AstraZeneca i shet në kosto dozat për Bashkimin Europian, me një çmim prej rreth 2.5 Eurosh.

Komento: