Krahasuar me tremujorin e tretë 2018 me atë të vitit paraprak, çmimet e importit u ngritën në një mesatare prej 2.2 për qind, thuhet në raportin “Indeksi i Çmimeve të Importit (IÇIMP), tremujori i tretë 2018”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Ky indeks në këtë tremujor u rrit me 0.8 për qind.
“Indeksi i tërësishëm i Çmimeve të Importit në Kosovë u ngrit 0.8 për qind në tremujorin e tretë 2018, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishte te prodhimet minerale me 5.6 për qind, këpucët me 4.8 për qind, lëkura dhe artikujt prej saj me 2.5 për qind, prodhimet e industrive kimike me 1.8 për qind, plastika, kauçuku dhe artikujt prej tyre me 1.7 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 1.5 për qind, shtazët e gjalla dhe prodhimet prej tyre me 1.4 për qind, artikujt e gurit, llaçit, prodhimet e qeramikës dhe të qelqit me 0.8 për qind, artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani me 0.6 për qind, instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës me 0.5 për qind, letrat dhe artikujt prej saj me 0.2 për qind, mjetet e transportit me 0.1 për qind dhe druri dhe artikujt e drurit me 0.1 për qind”, thuhet të raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.
Sipas ASK-së, ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te prodhimet bimore me 6.9 për qind, tekstili dhe artikujt prej tij me 2.7 për qind, pajisjet e makinerisë dhe elektrike me 0.8 për qind, vajrat ushqyese me 0.3 për qind dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 0.1 për qind.
Ndërkaq, krahasuar tremujorin e tretë 2018 me atë 2017, çmimet e importit u ngritën në një mesatare prej 2.2 për qind.
“Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te prodhimet minerale me 20.5 për qind, plastika, kauçuku dhe artikujt prej tyre me 5.7 për qind, druri dhe artikujt prej tij me 3.9 për qind, artikujt e gurit, llaçit, prodhimet e qeramikës dhe të qelqit me 2.8 për qind, metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 2.3 për qind, prodhimet e industrive kimike me 2 për qind, mjetet e transportit me 1.4 për qind, lëkura dhe artikujt prej saj me 1 për qind, vajrat ushqyese me 0.2 për qind dhe instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës me 0.2 për qind”, vijon raporti.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te prodhimet bimore me 14.2 për qind, këpucët me 10 për qind, letra dhe artikujt prej saj me 7.3 për qind, tekstili dhe artikujt prej tij me 3.9 për qind, shtazët e gjalla dhe prodhimet prej tyre me 2.2 për qind, artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani me 1.1 për qind, pajisjet e makinerisë dhe elektrike me 1.1 për qind dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar me 1.5 për qind.