Rriten çmimet, një kurban në treg shitet deri në 350 euro

08:27 | 15 Qershor 2024
rriten-cmimet,-nje-kurban-ne-treg-shitet-deri-ne-350-euro

Nga 170 euro sa ishte vitin e kaluar, çmimi i një kurbani në Kosovë këtë vit ka shkuar në 350 euro.

Shitësit të cilën merren me shitjen e kurbaneve në disa qytete të Kosovës kanë treguar për “Front Online” se sivjet nuk ka interesim të madh.

Një shitës nga Prishtina në kushte anonime për portalin “Front Online” ka bërë një krahasim lidhur me çmimet e rritura të mishit në treg.

Ai thotë se kërkesa ka për kurbanë, por jo si vitin paraprak.

“Çmimet në këtë vit për kurbanë shkojnë prej 200-350. Kërkesa po ka nga qytetarët, por në numër më të vogël. Po shpresojmë që kërkesat të rriten. Vitin e kaluar i kemi shitë 150 deri 170 €, por sivjet ka ndryshu çmimi, se tash 10 qebap kushtojnë 10 euro, e rrjedhimisht ndryshon edhe çmimi i kurbanëve”.

Ndryshe nga çmimet në kryeqytet, në qytetin e Klinës ndryshojnë ato.

Blerja e një kurbani(deleje) kushton rreth 200 euro, përdallim nga viti paraprak që ka qenë 170 euro.

Kështu ka deklaruar një shitës nga qyteti i Klinës për “Front Online”.

Arsyeja pse ka rënie te blerësve për Kurban Bajram, janë gjendja financiare e qytetarëve, sipas shitësit.

“Çmimet për kurban i kemi 200 euro, ka interesim të qytetarëve, por më pak se vitet e kaluara. Kjo mund të jetë si pasojë e gjendjes financiare të tyre. Vitin e kaluar çmimet kanë qenë afërsisht 170 euro. Mund të ndikojnë edhe disa propaganda që janë duke bërë këta hoxhallarët me kurbane, kah 120 e 140, i postojnë këto çmime por kur shkon me e ble nuk mundesh me marrë me atë çmim”.

Ndryshe nga çmimet e shitësve të kurbaneve, çmimi i caktuar nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) i kurbanit kushton 160 euro.

Idriz Gjikolli nga BIK thotë se sivjet ka interesim më të madh, krahas 2023-tes për të dhuruar para për shpërndarjen e kurbaneve.

Ai ka treguar procedurën që qytetarët e praktikojnë për Kurban Bajram në BIK.

“Ka filluar të rritet numri i të interesuarëve, krahasuar më vitin e kaluar. 160 euro kushton një kurban. Vjen paguhen në këshillin e BIK nëpër Komuna, mishi prehët dhe vazhdon të shpërndahet tek jetimët, studentët, Medrese e kështu me radhë”.

Për “Front Online” janë deklaruar edhe nga Shoqata “Bereqeti” që merren pikërisht me shpërndarjen e kurbanëve të BIK-ut.

Xheladin Fazliu nga kjo shoqatë ka deklaruar se therja e kurbanëve bëhet jashtë Kosovës.

“Tregu është i lirë dhe, këtë vit kurbanet i therim jashtë Kosovës. Qysh ka të drejtë një qytetar i Kosovës një mall me porositë në Kinë, edhe na si Bashkësi Islame duhet ta hulumtojmë ku është tregu më i lirë, por natyrisht edhe ku është cilësia më e mirë”.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë thirrje të premten që therja e kurbaneve me rastin e festës së Kurban Bajramit, të bëhet vetëm në thertoret e licencuara nga kjo agjenci.

Pasi sipas tyre, therja jashtë këtyre objekteve jo vetëm që përbën shkelje ligjore, ajo rrezikon edhe shëndetin e përgjithshëm publik.

Qytetarët të cilët e kundërshtojnë këtë vendim do të gjobitën.

Drejtori i Inspekcionit, Florian Dushi ka thënë për “Front Online” se çmimi i gjobës varet nga rrethanat.

“Ne i mbikëqyrim vetëm mos me lejuar me u stacioni kudo ata të cilët e bëjnë prerjen e kurbaneve. Edhe AUK e kryen pjesën e vet edhe na si Inspekcion. Po gjoba ka të parapara, varët krejt nga rrethanat numri etj”.

Koha për prerjen e kurbanit është mëngjesi i ditës së Bajramit, pas faljes së tij, e kurrsesi nuk lejohet të prehet para faljes së namazit të Bajramit, dhe kjo vlen deri para faljes së ikindisë, ditën e katërt të Bajramit. ./Front Online/

 

 

Komento: