Rriten për 35.5 milionë euro të hyrat e këtij viti

18:32 | 10 Tetor 2019

Janë rritur të hyrat e këtij viti.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), thotë se ka rritur nivelin e performances të të hyrave edhe për periudhën janar-shtator të këtij viti.

Kjo, sipas saj, si rezultat i intensifikimit të aktiviteteve në terren, konkretisht trajtimin e borxheve dhe luftimin e ekonomisë jo-formale.

“Për periudhën e lartcekur, ATK ka arritur të mbledhë 35.5 milionë euro të hyra më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ndërsa, të hyra e përgjithshme të mbledhura janë në vlerë 372.3 milionë euro. Përderisa kontributet pensionale i keni në vlerë 132.9 milionë euro, që në total kemi mbledhur 505.2 milionë euro tatime dhe kontribute”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Sipas njoftimit, projeksioni i ATK-së për këtë vit është 516 milionë euro apo 16% më shumë së plani i vitit të kaluar.

“Mirëpo synimet e ATK-së për këtë vit do të jenë shumë të qarta dhe do të jemi brenda kornizave të Strategjisë së Përmbushjes dhe Planit Strategjik, do të punojmë në luftimin dhe parandalimin e ekonomisë joformale, meqë me uljen e informalitetit do të kemi rritje të të hyrave dhe njëkohësisht, krijim të barazisë në treg. Veç kësaj, rëndësi të madhe ka rritja e komunikimit me tatimpaguesit, pasi që vetëm në këtë mënyrë ata do t’i kuptojnë obligimet të cilat i kanë ndaj administratës tatimore. Me një qasje të ngjashëm si kjo ne do të mund te kemi këtë paralelisht me konsolidimin e kapaciteteve, si dhe kompletimin e infrastrukturës ligjore”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ATK.

Në vazhdim po ashtu thuhet se misioni i ATK-së është inkurajimi i tatimpaguesve për përmbushje vullnetare, trajtimi transparent dhe gjithëpërfshirës dhe dhënia e këshillave profesionale për implementimin e ligjeve.

“Ne kemi shkuar në atë drejtim që të krijojmë module që tatimpaguesve t’ua lehtësojmë deklarimet e tyre”, thuhet në njoftim.

Komento: