Rriten rastet me variantin Delta në Gjermani

12:42 | 11 Gusht 2021

Rriten rastet me variantin Delta, Gjermania shton presionin për vaksinimin e qytetarëve

Pas 4 orësh videokonferencë, qeveria gjermane dhe liderët e landeve u dakordësuan të rrisin presionin për vaksinimin, ndërsa vala e katërt e pandemisë thuhet se do përfshijë vendin në vjeshtë.

“Lajmi i mirë është se vaksina ka ndikim shumë pozitiv sa i përket parandalimit të sëmundjes së rëndë apo vdekjes nga Covid-19. Lajmi i keq është se ritmi i vaksinimit është ngadalësuar. Prandaj u dakordësuam të shtojmë përpjekjet për rritje të vaksinimit në nivel federal dhe landesh”, deklaroi Merkel.

Merkel tha se duke nisur nga 11 tetori, testet e koronavirusit nuk do të jenë më falas për personat që refuzojnë vaksinën, me përjashtim të fëmijeve dhe gravë shtatzëna.

Nga 23 gushti qytetarëve do tu kërkohet të provojnë se janë të vaksinuar, kanë test negativ apo certifikatë shërimi nga Covid-19 për të vizituar vende si restorantet, qendrat e kujdesit shëndetësor, kisha apo palestrat.

“Ata që janë vaksinuar nuk do të duhet të testohen me dhe sigurisht që do të trajtohen ndryshe nga të pavaksinuarit nëse infektimet rriten më tej. Nuk mund të lejojmë që sistemi shëndetësor të mbingarkohet sërish”, shtoi kancelarja Merkel.

Deri më tani 55.1% e popullsisë gjermane janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit.

Komento: