Rritet 4.4 përqind indeksi i çmimeve të prodhimit

19:43 | 06 December 2021

Indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë është ngritur për 4.4 përqind në tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2021. Ndërkaq, krahasuar TM3 të vitit 2020, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 6.9 përqind.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) ngritje më të mëdha ka pasur në energji elektrike, në prodhim të metaleve, të mobilieve, prodhim të pasjisjeve elektrike, prodhim të produkteve minerale jo-metalike dhe të tjera.

Në një komunikatë për media, ASK ka dhënë në detaje përqindjen e rritjes që ka pësuar indeksi i çmimeve të prodhimit në secilën fushë.

“Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (13.4 përqind); prodhimi i mobilieve (7.2 përqind); prodhimi i metaleve (5.3 përqind); prodhimi i pajisjeve elektrike (4.0 përqind); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (3.4 përqind); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (2.9 përqind); prodhimi produkteve të gomës dhe të plastikës (2.3 përqind); prodhimi i produkteve minerale jo-metalike (1.1 përqind); nxjerrja e xehes së metalit (0.7 përqind); përpunimi i produkteve ushqimore (0.7 përqind); dhe prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (0.3 përqind)”, thuhet në komunikatë.

Sipas ASK-së, ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te: prodhimi i mjeteve motorike të (transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (-2.1 përqind); prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj (-1.2 përqind); prodhimi i pijeve (-0.6 përqind); dhe xeheroret e guroret e tjera (-0.4 përqind).

Komento: