Rritet frikshëm bilanci i vdekjeve nga koronavirusi

21:06 | 07 March 2020

Rritet frikshëm bilanci i vdekjeve Itali: 197 të vdekur, mbi 4630 të infektuar.

Bilanci i vdekjeve të koronavirusit të ri në Itali ka shkuar në 197 pas rritjes më të madhe ditore që kur shpërthimi nisi në vend.

Zyrtarët thanë se 49 persona kishin humbur jetën brenda 24 orëve dhe më shumë se 4600 raste janë raportuar në total. Vendi tani raporton shifrën më të lartë të viktimave jashtë Kinës, ku virusi u shfaq në dhjetor. Instituti kombëtar i shëndetit tha se mosha mesatare e viktimave ishte 81, dhe shumica e tyre, vuanin nga probleme të tjera shëndetësore. Rreth 72 për qind e viktimave ishin meshkuj, transmeton Top Channel.

Sipas të dhënave qeveritare, 4.25 për qind e individëve tek të cilët është konfirmuar koronavirusi kanë vdekur, shkallë kjo më e larta në botë. Italia ka një nga popullatat më të moshuara në botë. Qeveria këtë fundjavë urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave për 10 ditë ndërsa ajo përpiqet të vendosë nën kontroll virusin. Të gjitha eventet sportive, përfshirë futbollin, do të luhen me dyer të mbyllura për një muaj. Ajo që po shqetëson banorët ndërkohë është se ceremonitë funerale për të vdekurit e koronavirusit nuk po lejohen për shkak të nevojës për të kufizuar tubimet e njerëzve. Priftërinjtë thonë disa lutje, dhe kjo është e gjitha.

Ndërsa Vatikani, që raportoi rastin e parë të premten, tha se po shqyrtonte mundësinë që mesha e të dielës, e drejtuar nga papa, të ofrohej vetëm në video, dhe jo nga një dritare e Vatikanit, për të evituar po ashtu turmat. Vetë papa që është prekur nga ftohja, ka testuar negativ për koronavirusin.

Organizata botërore e shëndetësisë thotë se mbi 100 mijë njerëz në të gjithë botën janë prekur nga koronavirusi. Më shumë se 3 mijë janë vdekjet, pjesa më e madhe në kinë. Drejtori i përgjithshëm i OBSH e ka quajtur përhapjen e virusit thellësisht shqetësuese dhe i ka kërkuar të gjitha vendeve që ta bëjnë vënien nën kontroll të tij prioritetin më të madh.

Vetëm Kina, Koreja e Jugut dhe Irani, kanë raportuar më shumë raste të koronavirusit se Italia. Në Korenë e Jugut janë regjistruar 7041 raste dhe 46 vdekje. Irani ka 3500 raste dhe 124 viktima ndërkohë që mendohet se në të vërtetë, shifrat atje janë më të fryra.

Komento: