Rritet numri i alpinistëve që humbën jetën në malet e Nepalit

16:54 | 25 May 2019

Shumica e viktimave e kanë humbur jetën për shkak të dobësisë.

Zyrtarët kanë thënë se një alpinist britanik ka humbur jetën në malin e Everestit të shtunën, duke e çuar në tetë numrin e atyre që humbën jetën në majën më të lartë në botë dhe në 18 numrin e viktimave në Himalajet e Nepalit vetëm gjatë këtij sezoni të ngjitjeve.

Sipas zyrtarëve të ngjitjeve, shumica e viktimave e kanë humbur jetën për shkak të dobësisë fizike, lodhjes së tepërt dhe vonesave gjatë rrugës për t’u ngjitur në majën 8850 metra të lartë.

Robin Fisher, 41 vjeç, humbi jetën në të ashtuquajturën “zonë e vd,ekjes”, e cila njihet për nivelin e vogël të oksigjenit.

Lajmin e bëri të ditur Mira Acharya, zyrtare e departamentit për turistë. Ai është personi i tetë që humbi jetën në sezonin aktual të ngjitjeve, i cili përfundon këtë muaj.

“Ai humbi jetën për shkak të dobësisë pas ngjitjes së gjatë dhe lëshimit të vështirë. Ai ishte duke u lëshuar së bashku me ndihmësit vendës kur papritmas u alivanos”, shtoi ajo.

Garret Madison nga kompania “Madison Mountaineering”, e cila i sponzorizon alpinistët që ngjiten në Majën e Everestit, tha se shumë prej tyre nuk ishin të kualifikuar dhe të pajisur si duhet. Sipas tij, ata nuk e kishin përkrahjen e nevojshme për t’u ngjitur dhe për t’u lëshuar në mënyrë të sigurt.

“Nëse ata do të ishin së bashku me një ekip të fuqishëm dhe me përvojë, ka gjasa që do të kishin shpëtuar, por me përkrahje minimale, gjërat vështirë kthehen në vendin e duhur kur diçka nuk shkon mirë”, tha ai.

Maja e Everestit mund të arrihet edhe përmes rrafshnaltës së Tibetit dhe ka pasur raportime se edhe nga ajo pjesë ka pasur viktima sivjet, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Komento: