Kadetët e Policisë s’po i përballojnë ushtrimet.
425 kadetët e rinj që u pranuan në Policinë e Kosovës po përballen me ushtrime të vështira e herë të papërballueshme.
Disa prej tyre, për arsye të ndryshme e kanë ndërprerë udhëtimin e tyre për t’u bërë polic e për t’i shërbyer shtetit të Kosovës.
Lajmi kishte raportuar më herët se si në Akademinë Policore ishin pranuar edhe kadetë me të kaluar të dyshimtë.
Kjo pasi që atyre fillimisht nuk u ishte verifikuar e kaluara, para se të njëjtit të pranoheshin në polici
Në këtë periudhë kur lajmi. kishte raportuar për këtë dukuri, pesë kadetë veç kishin dhënë dorëheqje nga Akademia për Siguri Publike. Kjo kishte ndodhur për arsye të ndryshme.
Mirëpo, pas dy muajsh ky numër është rritur dhe më shumë kandidatë kanë kërkuar dorëheqje.
Kjo bëhet e ditur përmes një përgjigje për lajmi nga Policia e Kosovës.
Aty thuhet se për shkaqe personale, për studime si dhe për kujdesi ndaj prindit, dorëheqje kanë dhënë shtatë kadetë.
“Që nga fillimi i trajnimit të Gjeneratës 54 me datën 21.01.2019 deri me sot, dorëheqje kanë dhënë 7 kadetë. Arsyet e dorëheqjes janë si në vijim: arsye personale, për studime, për kujdesje ndaj prindit”, thuhet në përgjigjen e lajmi.net.
Megjithatë, në realitet duket se arsyetimet e dhëna nuk qëndrojnë.
Kadetë të cilët aktualisht po i vijojnë trajnimet në këtë Akademi, në kushtet anonimiteti kanë thënë për lajmi.net se ushtrimet e vështira po i detyrojnë ata të largohen.
Madje ata thonë se nuk kanë munguar as rastet kur ndonjëri prej tyre është lënduar.
“Ka ushtrime të vështira. Disa janë larguar edhe prej tyre. Ka pasur edhe raste ku në trajnime atyre u ka rënë të fikët dhe kanë pësuar lëndime”, thonë ata për lajmi.net.
Sidoqoftë, informacione të tilla nuk janë konfirmuar edhe zyrtarisht.
Kujtojmë, se kjo gjeneratë është e para që ndjek një trajnim profesional të validuar.