Rritet vlera e pasaportës së Kosovës për serbët

13:25 | 13 October 2022

Lilana nga Graçanica, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, beson se të gjithë kanë të drejtë të udhëtojnë lirisht dhe për këtë arsye ajo mirëpret heqjen e mundshme të regjimit të vizave për Kosovën.

“Kjo do të ishte mirë për të gjithë, si për ne, serbët, ashtu edhe për shqiptarët që jetojnë këtu në Kosovë”, vlerëson Lilana.

Ajo është vetëm një prej qytetarëve nga komuniteti serb, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, të cilët “i gëzohen sinqerisht udhëtimit të lirshëm, pa pasur nevojë të presin në radhë për vizë”.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, por kësaj radhe kanë shpresë se diçka e tillë mund të ndryshojë, sepse Grupi Punues i Bashkimit Evropian (BE) për viza do të diskutojë për herë të parë, më 13 tetor, lidhur me propozimin për heqjen e regjimit të vizave për ta.

Përderisa qytetarët nga radhët e shumicës shqiptare janë pak më skeptikë për këtë çështje, serbët e Kosovës janë optimistë.

Ndonëse kanë të drejtën për t’u pajisur me pasaportë të Serbisë, e cila e ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009, serbët e Kosovës ka kohë që nuk po pajisen me të, duke thënë se ajo është “pa vlerë”.

Në fakt, Beogradi zyrtar nuk ua lëshon të njëjtën pasaportë serbëve që jetojnë në Kosovë sikurse atyre që jetojnë në Serbi, por ky dokument udhëtimi lëshohet nga Drejtoria Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe me të nuk është i mundshëm udhëtimi pa viza.

Liberalizimin e vizave për Kosovën e mirëpret edhe Slagjana, po ashtu nga Graçanica, një nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit.

“Shpresoj që më në fund edhe ne (do të mund të udhëtojmë pa viza), pasi ne serbët (nga Kosova) nuk mund të kemi pasaporta pa viza sikurse banorët e Serbisë. Liberalizimi është një përparim i madh për të gjithë popullatën, për një jetë normale, që më në fund të ndodhë diçka e mirë për ne, pavarësisht nga kombësia jonë”, thotë Slagjana, e cila megjithatë na kërkoi që të mos i përmendet mbiemri.

Ngjashëm shprehet edhe Strahinja, 20-vjeçar, i cili planifikon të “udhëtojë nëpër botë”.

“Është e nevojshme të udhëtosh nëpër botë, sepse jeta këtu (në Kosovë) është e mërzitshme. Është mirë të jetosh këtu, por mërzitesh, gjithçka është njësoj…duhet ta shohësh pak botën”.

Me të pajtohet edhe Stefan Stojanoviq nga Parteshi, komunë me shumicë serbe në rajonin e Anamoravës, në Kosovë. Ai është drejtues i organizatës rinore joqeveritare “Socrat” dhe beson se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë mjaft i dobishëm për të rinjtë.

“Besoj se, nëse këtë herë arrijmë ta marrim atë liberalizim, mendoj se do të thotë shumë për të gjithë të rinjtë në fushën e arsimit dhe karrierës, por edhe nga këndvështrimi i turizmit”, thotë ai.

Stefan thekson se ka shumë persona që kanë pasaporta të Kosovës dhe Serbisë, por beson se nëse Kosova merr liberalizimin e vizave, gjithnjë e më pak prej tyre do ta marrin pasaportën e Serbisë.

Komento: