
Rritja drastike e çmimit të energjisë elektrike gjatë vitit 2025 ka vënë në rrezik serioz funksionimin e Kompleksit Turistik Bellushi në Rugovë.
Sipas faturave krahasuese, kostoja e energjisë është rritur deri në 210 për qind, ndonëse konsumi ka mbetur pothuajse i pandryshuar krahasuar me vitin 2024.
Vetëm fatura e muajit dhjetor 2024 ishte 11,426 euro, ndërsa për të njëjtin muaj të vitit 2025 ajo ka arritur në 33,569.55 euro, duke trefishuar shpenzimet mujore të kompleksit dhe duke krijuar barrë të rëndë financiare për një biznes turistik sezonal.
Nga menaxhmenti i Kompleksit Bellushi thuhet se rritja nuk lidhet me konsum më të madh, por me ndryshime të theksuara tarifore të aplikuara nga viti 2024. Situata rëndohet edhe më shumë nga ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike në zonën e Rugovës, të cilat arrijnë deri në 20 herë në ditë.
Për shkak të këtyre ndërprerjeve, kompleksi është detyruar të përdorë gjeneratorë me naftë, duke shpenzuar rreth 15 mijë euro vetëm gjatë muajit dhjetor, kosto kjo që nuk ka ekzistuar në këtë nivel një vit më parë.
Menaxhmenti ka kërkuar trajtim të veçantë tarifor për bizneset turistike malore, duke paralajmëruar se nëse situata vazhdon, rrezikohet jo vetëm funksionimi i kompleksit, por edhe zhvillimi i turizmit në Rugovë, një nga zonat më atraktive natyrore të Kosovës.
invoicee-F-20260116-448_20260116_140859
