Rritja e çmimeve vazhdon në Kosovë, pos vezëve shtrenjtohet edhe mishi e qumështi

22:35 | 10 January 2023

Vazhdon rritja e çmimeve në Kosovë, pos vezëve shtrenjtohet edhe mishi e qumështi.

Ani pse kaluan festat e vitit të ri, çmimet e produkteve bazike po vazhdojnë të rritën. Së fundi këtij trendi, i janë bashkuar rritja e çmimit të vezëve, duhanit dhe mishit. Qytetarët po konsiderojnë se është gjendje alarmante pasi pagat nuk janë rritur.

Deri në 2 euro më shtrenjtë se disa ditë më parë po kushtojnë sot një komplet ve në tregun e Kosovës.

Ky është vetëm një nga disa produkte që pësuan rritje të çmimit pas festave të fundvitit.

Pos kësaj, më shtrenjtë janë tani edhe produktet e qumështit, mishi e duhani.

Në marketet e vendit ka pasur raste kur një komplet vezë ka kushtuar deri në 5 euro e 15 cent.

Këto ngritje të çmimeve Ministria e Tregtisë po thonë se po i inspektojnë. Megjithatë nuk janë përgjigjur nëse do të ndërmarrin ndonjë veprim.

“Inspektorati i Tregut gjatë muajve të fundit ka shtuar numrin e inspektimeve për mbrojtjen e konsumatorit, në veçanti për mbikëqyrjen e etiketës që tregon flamurin e origjinës së produktit. Këto inspektime kanë vazhduar edhe ditëve të festave zyrtare në Republikën e Kosovës. Në çdo rast janë duke u ndërmarr veprime në pajtim me legjislacionin në fuqi (gjoba dhe urdhëresë të menjëhershme për eliminim të parregullsive)”, kanë thënë nga Ministria e Tregtisë për RTV Dukagjinin.

Pavarësisht që Ministria po thotë që inspekton, qytetarët po përballën me çmime marramendëse.

“Jam dëshmitar nëpër të gjitha marketët ka ngritje të çmimeve, tash është koha e ftohtë dhe mungesa e vezëve nëpër ekonomitë familjare por edhe në ekonomi më të mëdha familjare ka konsumim më tepër prandaj ndoshta janë ngritë edhe çmimet”, ka deklaruar qytetari Adem Ramadani.

“Me aftësinë blerëse nëse ke ble dy litra vaj, tash ke me ble një litër vaj, rrjedhimisht që d.m.th tryeza jonë po varfërohet”, ka thënë Mirand Zeneli, po ashtu qytetar.

Ka qytetarë që këtë situatë po e konsiderojnë turp për pushtetarët.

“Njerëzit kanë jetuar e mbijetuar por tash për momentin është një turp çka po ndodhë tash, sa është e përballueshme, çka duhet me bo një qytetar i papunë, të dal në rrugë”, tha Sabri Kadriu.

Por, ekonomistët nuk po i konsiderojnë si reale këto rritje të çmimeve por vlerësojnë se tregtarët shfrytëzuan ardhjen e diasporës për ndryshimin e çmimeve.

“Nuk mund të jetë arsye gjithmonë për ngritje të çmimeve lufta në Ukrainë dhe në këtë drejtim besoj që është koha të kemi më shumë monitorim, kush I ndan e mban subvencionet për tregtar, kush I monitoron ata? Në të njëjtën koha autoriteti i konkurrencës duhet të jetë më aktiv e të veproj karshi kësaj”, ka shtuar ekonomisti Safet Gërxhaliu.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2022 vendi kishte normë mesatare të inflacionit për 12 për qind, kurse Banka Qendrore parasheh që inflacioni të pësoj rënie në 2023-n.

Komento: