Rritja e çmimit të derivateve si rrjedhojë e konfliktit në Lindje, Kusari-Lila cakton marzhën

15:20 | 04 Mars 2026
rritja-e-cmimit-te-derivateve-si-rrjedhoje-e-konfliktit-ne-lindje,-kusari-lila-cakton-marzhen

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se sot ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme.

Kusari-Lila përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor.

“Sot nënshkrova vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme. Ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor. Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes”, ka shkruar ajo.

Tutje Kusari-Lila ka thënë se marzha tregtare maksimale e lejuar është: Shitja me shumicë: deri në 2 eurocentë për litër, Shitja me pakicë: deri në 12 eurocentë për litër.

Tutje ministrja tha se inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi.

“Llogaritja e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4, paragrafi 1.1 dhe 1.2, të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse. Duke u bazuar në analizën e situatës në treg dhe në kompetencat ligjore të Ministrisë, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”.

Po ashtu Kusari-Lila theksoi se ky vendim hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

“Çdo shkelje apo moszbatim i këtij vendimi do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi. Ky vendim synon të sigurojë konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje të konsumatorëve në tregun e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Kusari-Lila.

Komento: