Rritja e rasteve me koronavirus, Italia po përgatit kufizime të reja

00:14 | 12 Tetor 2020

Italia po përgatit kufizime të reja për të luftuar shtimin e rasteve me koronavirus.

Italia po përgatitet për kufizime të reja nacionale, përfshirë edhe ndalime të ahengjeve private, në tentim për të frenuar rritjen e rasteve të reja me koronavirus, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, raporton agjencia Reuters.

Speranza ka thënë se Italia duhet të rikthejë masat kufizuese, pasi i lehtësoi ato për disa javë. Ai thotë se synimi është të evitohet një mbyllje e dytë totale.

“Tash duhet të ndryshojmë ritmin, dhe të reagojmë me masa, jo të krahasueshme me ato që ndërmorëm në të kaluarën. Kjo do të na mundësojë të sjellim situatën nën kontroll dhe të evitojmë masat më të rënda më vonë”, ka thënë Speranza për televizionin “RAI”.

Italia të premten regjistroi mbi 5000 raste të reja me koronavirus brenda 24 orëve për herë të parë që nga marsi. Shifrat e infeksionit kanë mbetur mbi 5000 edhe të shtunën e të dielën. Numri i të vdekurve nga COVID-19 është dukshëm më i ulët sesa kur pandemia ishte në kulm në mars e prill.

Speranza ka thënë se ka propozuar ndalimin e ahengjeve private, përfshirë këtu si fëmijët ashtu edhe të rriturit, ndërsa kryeqendra Roma po ashtu do të ketë kufizime kohore sa i përket bareve e restoranteve si dhe reduktim të numrit të klientëve nëpër to.

Masat tjera mund të përfshijnë sportet me kontakt fizik që nuk ofrojnë mundësi të mbahet maska. Roma të mërkurën e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës edhe në ambient të hapur. Pakoja e re e masave do të diskutohet me rajonet të hënën dhe do të dekretohet nga kryeministri Giuseppe Conte nëse arrihet pajtim.

Italia sot ka regjistruar 5456 raste me koronavirus.

Komento: