Rritja e taksës për sigurim të veturave, vjen reagimi i ashpër nga KMDLNJ

12:16 | 04 November 2019

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e kundërshton rritjen e taksës për sigurim të automjeteve nga kompanitë e sigurimeve.

Me anë të një komunikate për media KMDLNJ e bën përgjegjës kryesor BQK-në, e cila, në vend se ta luaj rolin e rregullatorit të këtyre kompanive po bëhet pjesë e zhvatjes aktive të buxhetit të qytetarëve të Kosovës.

Ja reagimi i KMDLNJ-së:

Kompanitë e Sigurimeve të Kosovës kërkuan nga BQK t’u lejohet rritje prej 36.5% për sigurimin e automjeteve kurse BQK u tregua më “dorështrënguar” ndaj tyre dhe me “bujare” ndaj qytetarëve duke e lejuar rritjen prej 21.5% për sigurimin e automjeteve e që është në kundërshtim të plotë më mundësitë financiare të qytetarëve sikur që kjo është shumë më e lartë se inflacioni zyrtar në Kosovë.

Që nga përfundimi i luftës, kompanitë e sigurimeve në Kosovë kanë caktuar tarifat e sigurimeve duke pasur parasysh interesin dhe përfitimet e atyre që kanë drejtuar kompanitë, e të cilët kanë qenë instrument ekzekutiv i politikanëve të kriminalizuar të cilët kanë menaxhuar këtë strukturë përmes familjarëve të tyre apo ndikimit politik. Për vitë të tëra, vazhdon edhe tani, që bashkatdhetarët nga diaspora janë detyruar të paguajnë “haraçin” gjatë hyrjeve në Kosovë me arsyetimin se, meqë Kosova nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër, janë të detyruar të zbatojnë këtë pagesë krejtësisht diskriminuese e që nuk bëhet në vendet e tjera. Byroja e Sigurimeve të Kosovës është arsyetuar se në Kosovë qarkullojnë mbi 100.000 automjete të paregjistruara dhe të pasiguruara prandaj edhe ndahen me humbje në ndërkohë që pagat e tyre nuk dallojnë aspak nga kolegët e tyre në vendet më të zhvilluara të botës.

Qarkullimi i mbi 100.000 automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara sipas Byrosë së Kosovës të Sigurimeve paraqet edhe njërën ndër pengesat kryesore që Kosova nuk qenka pjesë e Kartonit të Gjelbër në ndërkohe që në këto bisedime Kosova është përfaqësuar nga niveli më i ulët profesional i cili nuk ka përfaqësuar interesin e qytetarit pos interesin personal dhe të politikës. Byronë e Sigurimeve te Kosovës, gjatë tërë kohës e kanë përcjellë afera korruptive dhe keqmenaxhim financiar në ndërkohë që asnjëherë nuk ka arritur të ndërtojë dhe stabilizojë një piramidë menaxhuese, profesionale dhe të qëndrueshme

Qytetarët e Kosovës, pagues të rregullt të sigurimeve për veturat e tyre nuk mund dhe nuk duhet të penalizohen duke ua mbuluar humbjet kompanive të sigurimeve shkaku i 100.000 veturave të pasiguruara dhe të paregjistruara si dhe menaxhimit të keq të të hyrave.

KMDLNj mendon se pikërisht ulja e çmimeve tarifore për sigurim dhe regjistrim të automjeteve mund të ndikojë shumë në zvogëlimin e numrit të 100.000 veturave të pasiguruara dhe të paregjistruara. Rritja e paralajmëruar e tarifave nga kompanitë e sigurimeve, me pëlqimin diskriminues të BQK-së vetëm sa do ta rris numrin prej 100.000 automjeteve të pasiguruara dhe të paregjsitruara.

Mosrenditja e bashkëpunimit midis Byrosë së Sigurimeve të Kosovës dhe Policisë së Kosovës gjithashtu ndikon në rritjen e numrit të automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara si dhe e betonon ndarjen thuaja legale në përqindje te tregut të kompanive te sigurimeve që pastaj e kanë lehtë të manipulojnë me tarifa dhe çmimeve, gjithmonë në dëm të interesit të qytetarit të Kosovës si dhe diasporës.

Komento: