Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media sa i përket vlerës së tatimit të pronave. Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami ka paraqitur kërkesat drejt ministrisë së Financave duke thënë se duhet që me një vendim të pezullohet aplikimi i rivlerësimit të fundit të patundshmërive dhe që fatura te vitit 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022.
Gjithashtu kanë thënë që MF-ja duhet që të procedojë në Kuvend ligjin e ri për Tatim në Pronë.
“Me Ligjin e ri të adresohen të gjitha nenet që sot janë pengesë për të bërë përshtatjet e nevojshme dhe për të reflektuar situatën e rëndë socioekonomike dhe shkallën e lartë të inflacionit. (Me Ligjin e ri mund të ulët pragu i poshtëm që aktualisht është 0.15%, në mënyrë që komunat të kanë fleksibilitet me të madh për vendosjen e normave të tatimit në pronë.)”, ka thënë Bajrami.
Derisa kanë kërkuar që Ministria e Financave në bashkëpunim me komunat gjatë vitit 2023 të bëjnë rishikimin e plotë të procesit të ri-vlerësimit të pronave pas përcaktimi të zonave që marrin parasysh zhvillimin e vendbanimeve dhe ngastrave kadastarale.
“Kjo për shkak se gjatë ri-vlerësimit të pronave të bërë më 2022 janë përdorur zonat e vjetra, janë injoruar komplet nënzonat pasi ka dështuar sistemi i Departamentit të Tatimit në Pronë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.